AUV-i ndalon përkohësisht importin e të gjitha llojeve të formulës “Aptamil”
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të importit të të gjitha llojeve të qumështit “Aptamil”.
Ky vendim është marrë për dyshimet se në këtë formulë ka prani të mundshme të toksinës “Cereulide”.
“Përmes njoftimeve të publikuara gjatë ditëve të fundit janë dhënë sqarime të plota lidhur me produktin për fëmijë ‘Aptamil’, duke përfshirë edhe informacionin se cilat lloje të këtij produkti nuk mund të përdoren. Prandaj qytetarët nuk kanë arsye për shqetësim, pasi për sasine e cila është futur me herët në Kosovë masat janë ndërmarrë në kohë dhe në mënyrë parandaluese”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se AUV-it në koordinim me operatorët ekonomikë ka realizuar tërheqjen e këtij produkti nga tregu dhe se inspektorët janë në terren me qëllim verifikimin nëse ka mbetur ndonjë sasi e këtij produkti.
“Të gjitha veprimet e ndërmarra më parë, por edhe ky vendim kanë prioritet mbrojtjen maksimale të shëndetit të foshnjave dhe konsumatorëve, ndërsa situata po menaxhohet me përgjegjësi të plotë dhe në koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.
Njoftohen të gjithë operatorët ekonomikë që veprojnë në Republikën e Kosovës për zbatimin e detyrueshëm të këtij vendimi.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të vazhdojë të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejmë”, thuhet ndër të tjera. /Zëri