Ekspertët: Formimi i institucioneve, i rëndësishëm për funksionim të shtetit
Foto: Laura Hasani

Ekspertët: Formimi i institucioneve, i rëndësishëm për funksionim të shtetit

Aktuale February 12, 2026 - 12:14

Njohës të politikës dhe ekonomisë në vend e mirëpresin krijimin e institucioneve të reja të vendit.

Mazllum Baraliu i tha Radio Kosovës së formimi i institucioneve do të mundësojë funksionimin e shtetit në të gjitha fushat.

“Formimi i institucioneve të reja do të ndikojë në stabilizimin e gjithë shtetit. Pra, kemi një kontratë që është e rëndësishme me Fondin Ndërkombëtar, edhe Plani i rritjes i Procesit të Berlinit, kontratat e ndryshme, marrëveshjet e ndryshme mbi të gjitha funksionimi i shtetit dhe natyrisht kryerjes së obligimeve të mëdha dhe të shumta, punëve të shumta në planin e brendshëm edhe në planin e jashtëm dhe zgjidhja e shumë problemeve”, ka thënë Baraliu.

Edhe njohësi tjetër i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se krijimi i institucioneve është tejet i rëndësishëm. Ai tha se kjo është një përvojë për politikanët se si duhet të respektohet Kushtetuta.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që pas një viti bllokadë të kemi konsolidim të institucioneve. Ky është indikatori më i mirë që kur politikanët bëjnë veprime realiste, normale, logjike dhe respektojnë Kushtetutën edhe proceset e konsolidimit të institucioneve shkojnë shpejt. Prandaj ky është një leksion se si do të duhej të silleshin politikanët edhe në të ardhmen”, ka thënë Muhaxhiri

Ndërkaq, njohësi fushës së ekonomisë, Safet Gërxhaliu, theksoi se Kosova duhet të punojë shumë në mënyrë që të kompensojë humbjet që ka pësuar.

“Kosova duhet të veprojë me shpejtësi të madhe që ta zë hapin dhe të kompensojë humbjet nga e kaluara. Jo vetëm në aspektin e menaxhimit të financave publike, jo vetëm në imazhin e Kosovës, por për fatin që kemi humbë nga mosratifikimi i shumë marrëveshjeve ndërkombëtare. Krejt kjo si pasojë e faktit që s'kemi pasur një diplomaci aktive, qoftë ekonomike, qoftë politike e të cilat e kanë dëmtuar Kosovën”, ka thënë Gërxhaliu.

Mbrëmë u konstituua legjislatura e dhjetë, e dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke zgjedhur në krye të Kuvendit Albulena Haxhiun e Vetëvendosjes. Po ashtu, Parlamenti i Kosovës me 66 vota pro dhe 49 kundër votoi qeverinë e re të kryeministrit Albin Kurti.