Miratohet deklarata e Listës Serbe për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në institucionet e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Miratohet deklarata e Listës Serbe për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit në institucionet e Kosovës

Aktuale February 12, 2026 - 12:47

Subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës, Lista Serbe, që ka përkrahjen e Beogradit zyrtar, ka mbajtur sot një takim të konsideruar urgjent me përfaqësuesit e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe përfaqësues të fushave të shëndetësisë dhe arsimit që financohen nga buxheti i Serbisë dhe funksionojnë nën planprogramin e Beogradit, të cilin shteti i Kosovës e konsideron si sisteme paralele.

Në fjalimin e tij, deputeti nga Lista Serbe, Igor Simiq, u ka bërë thirrje të gjitha partive politike për unitet.

Ai ka thënë se fakti që po mbahet ky takim tregon se Lista Serbe është e gatshme të marrë përgjegjësi.

Po ashtu, ai u shpreh i gatshëm që të refuzojë ekstremizmit politikë dhe çdo formë tjetër ekstremizmi.

Në fund, ai i ka falënderuar të gjithë për mbështetjen ndaj përfaqësuesve të Listës Serbe.

“Edhe kur bëhen manipulime dhe shtesa të ndryshme, unë ju bëj thirrje për unitet dhe bashkim serb, siç morëm mbështetje në këtë seancë nga përfaqësues të të gjitha partive politike. Fakti që e mbajtëm këtë seancë tregon se jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi. Ne jemi këtu së bashku me të gjithë, jemi me popullin. Të rrisim përgjegjësinë dhe të pajtohemi. Të refuzojmë ekstremizmat politikë dhe çdo formë tjetër ekstremizmi. Të përpiqemi të përmirësojmë pozitën e popullit serb. Sfida është e madhe dhe rruga nuk është e lehtë. Nuk kemi arritur gjithçka dhe nuk do të jetë e lehtë. Por këtë betejë po e zhvillojmë me vendosmëri dhe përkushtim, duke mbrojtur interesat tona si serbë kundër padrejtësive. Prandaj, shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë për mbështetjen që po jepni dhe për përkrahjen ndaj përfaqësuesve tanë”, ka deklaruar Simiqi. /teve1