Kurti: Shërbimi ndaj Republikës dhe qytetarëve, është privilegji më i madh që do ta kemi
Foto: Laura Hasani

Kurti: Shërbimi ndaj Republikës dhe qytetarëve, është privilegji më i madh që do ta kemi

Aktuale February 12, 2026 - 16:32

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se, shërbimi ndaj Republikës dhe qytetarëve, me punë e zell, nder e përkushtim, është privilegji më i madh që do ta kenë.

Kurti këtë e tha në një shkrim në Facebook, pas mbledhjes së parë të qeverisë së re, ku tregoi se në që në ditën e parë të punës, u mblodhën për të miratuar buxhetin e vitit 2026 dhe listën e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat prej kohësh presin miratimin në Kuvend e që kanë edhe afat skadence.

“Gjithashtu, aprovuam vendimin për t’i kërkuar Kuvendit që të mundësojë zgjatjen e Ligjit për Ndarje Buxhetore të vitit të kaluar edhe për muajin mars, në mënyrë që të sigurohemi se pensionet dhe pagat në sektorin publik të ekzekutohen me kohë, teksa komisionet parlamentare dhe deputetët e legjislaturës së 10-të trajtojnë dhe miratojnë buxhetin për këtë vit”

“Rikujtojmë se vitin e kaluar Kuvendi i Republikës u shpërnda pa u votuar buxheti i shtetit në vlerë prej 4 miliardë euro, Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian në vlerë prej 882.6 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro, duke rrezikuar madje përfitimet nga to. Tash që kemi Kuvend të konstituuar dhe Qeveri të re në krye të detyrës, e kemi edhe një mundësi tjetër për t’i ratifikuar këto marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend”

“Shërbimi ndaj Republikës dhe qytetarëve, me punë e zell, nder e përkushtim, është privilegji më i madh që do ta kemi secili prej nesh”, ka shkruar Kurti në Facebook. /Zëri