Osmani takon Prattipatin, flasin për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit nga Presidenca, thuhet se gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Theks i veçantë i është dhënë rëndësisë së përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve.
Gjatë këtij takimi është diskutuar gjithashtu për rolin e Kosovës në Bordin e Paqes dhe për hapat e mëtejmë në këtë drejtim.
Me këtë rast, Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për linjëzim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përputhje me interesat strategjike të vendit, si dhe për thellimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. /Zëri