Kurti udhëton për në Gjermani, do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në edicionin e 62-të të Konferencës së Sigurisë në Munih – Munich Security Conference 2026 (MSC).
“Krahas pjesëmarrjes në ngjarjet e organizuara në kuadër të MSC-së, kryeministri gjithashtu do të ketë edhe takime bilaterale në margjina të konferencës”, njoftojnë nga ZKM-ja.
Një ditë më parë, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka anuluar pjesëmarrjen e saj në Konferencën e Sigurisë në Munih.
Si arsye për anulimin e vizitës janë përmendur angazhimet institucionale dhe prioritetet që lidhen me zhvillime brenda vendit.
Konferenca e Sigurisë në Munih i mban punimet këtë vit më 13-15 shkurt në qytetin gjerman. Ajo konsiderohet konferencë me nam, për shkak të pjesëmarrjes së zyrtarëve shtetërorë të niveleve më të larta.