Vazhdon seanca në Hagë, avokati i Rexhep Selimit sfidon pretendimet e Prokurorisë
Në seancën e sotme në Hagë, avokati i Rexhep Selimit, Eric Tully, ka nisur fjalën hyrëse, duke paralajmëruar se do të trajtojë tri çështje kryesore në emër të klientit të tij.
Sipas Tullyt, mbrojtja do të fokusohet fillimisht në pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) lidhur me rolin e Selimit si ministër i Rendit Publik. Avokati pritet të kundërshtojë interpretimin e Prokurorisë mbi përgjegjësitë dhe kompetencat që, sipas saj, ka pasur Selimi në atë periudhë.
Tema e dytë që do të trajtohet ka të bëjë me disa shkrime dore, për të cilat Prokuroria pretendon se janë hartuar nga vetë Selimi. Mbrojtja do të paraqesë qëndrimin e saj lidhur me autenticitetin dhe peshën provuese të këtyre dokumenteve.
Në fund, Tully njoftoi se do të ndalet edhe te disa përjashtime që, sipas tij, mbulohen nga ZPS në dosjen e saj, duke lënë të kuptohet se mbrojtja do të sfidojë mënyrën e paraqitjes dhe përzgjedhjes së provave nga ana e Prokurorisë.
Seanca po zhvillohet në kuadër të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.