Gërvalla: Drejtësia është gur themeli i Republikës së Kosovës

Gërvalla: Drejtësia është gur themeli i Republikës së Kosovës

Aktuale February 13, 2026 - 11:34

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas marrjes së detyrës, duke theksuar se drejtësia është gur themeli i Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gërvalla është shprehur se reformat në drejtësi janë dëshmi e vendosmërisë për ndërtimin e një shteti ku ligji zbatohet pa kompromis dhe ku drejtësia është e barabartë për të gjithë.

Ajo ka shtuar se beteja për drejtësi, dinjitet institucional dhe besimin e qytetarëve do të mbetet prioritet i mandatit të saj.

“Drejtësia është gur themeli i Republikës sonë. Reformat në drejtësi janë dëshmi e vendosmërisë sonë për të ndërtuar një shtet ku ligji nuk negocion, ku përgjegjësia nuk shmanget dhe ku drejtësia nuk njeh emër, pozitë apo ndikim. Kjo është beteja jonë për drejtësi, dinjitet institucional dhe besimin e qytetarëve”, shkroi ajo.

Ministrja ka theksuar se askush nuk guxon të jetë mbi ligjin, duke e cilësuar këtë si parimin që udhëheq angazhimin institucional dhe si garanci për një shtet më të fortë, më të drejtë dhe më krenar për secilin qytetar.

“Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin! Ky është parimi që udhëheq kauzën tonë dhe garancia se Republika e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë edhe më e fortë, edhe më e drejtë dhe edhe më krenare për secilin qytetar të Kosovës”, përfundoi Gërvalla.

Gërvalla bëri të ditur se detyrën e ka pranuar nga ish-ushtruesi i detyrës së ministrit, Blerim Sallahu, duke e konsideruar Ministrinë e Drejtësisë si një strukturë kyçe në konsolidimin e shtetit dhe forcimin e institucioneve.