Tully: ZPS-ja në asnjë moment s’i ka bërë të qarta argumentet e veta për autorësinë e materialeve që iu atribuuan Selimit
Avokati i Rexhep Selimit, Eric Tully, ka kritikuar qasjen e Prokurorisë gjatë gjykimit ndaj klientit të tij.
Ai tha se Prokuroria në asnjë moment nuk i ka bërë të qarta argumentet e veta për autorësinë e materialeve që iu janë atribuuar Rexhep Selimit.
Rrjedhimisht, shtoi se kjo mund të ketë pasoja konkrete për personin në fjalë.
“ZPS-ja në asnjë moment nuk e ka bërë të qartë argumentet e veta për autorësinë e materialeve që u atribuuan z. Selimi pavarësisht se kur është marrë ky vendim nga trupi gjykues. Duhet të ketë parasysh se mund të ketë pasoja konkrete për personin”, tha ai.
Tully përpara kësaj tha se Prokuroria ka paraqitur shumë blloqe shënimesh si prova duke pretenduar në mënyrë të tërthortë ose të drejtpërdrejtë se secili prej materialeve, autor ishte Selimi.
“ZPS-ja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për blloqet e shënimeve. Praktika e ZPS-së qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë gjatë gjithë gjykimit ka qenë që të pretendohet se secili prej këtyre materialeve ishte i z. Selimit, pra ishte autor”, tha Tully.
Sipas Tully, ZPS-ja kishte shumë mundësi që të bënte të qartë se cili prej materialeve që citohet në dokument.
“U kërkua që të pranoheshin blloke shënimesh pa asnjë provë gojore. Dëshmitarëve iu treguan faqe individuale në një mënyrë të dyshimtë gjatë gjykimit por pa u gjetur kush ishte autori i këtyre materialeve”, tha ai.
Përveç kësaj, Tully tha se kjo ishte një praktikë e qëllimshme e Prokurorisë që ta mbante pezull mbrojtjen deri në fund të gjykimit.
“Praktika strategjike e Prokurorisë në fakt është e qëllimshme në mënyrë që ta linte mbrojtjen pezull deri në fund të gjykimit që mbrojtja të gjendej në një moment të vështirë që të mos dinte se çfarë të bënte me dokumentet në fjalë dhe i vetmi refren që përsërisnin ishte se këto janë sekuestruar prej z. Selimit”, tha avokati.
Ndërsa, shtoi se gjatë gjykimit janë bërë deklarata të qarta për autorësinë e këtyre dokumenteve. Por, që kjo është bërë vetëm pasi ka ndërhyrë mbrojtja.
“Gjatë gjykimit, Prokurori ka bërë deklarata të çarta sa i përket autorësisë së këtyre dokumenteve, por kjo ka ndodhur sepse ka ndërhyrë mbrojtja dhe jo se prokuroria ka qenë proaktive vetë për t’i argumentuar pretendimet e veta”, tha ai.
Tully tha se në seancat e mëhershme, një prokuror i tregoi një faqe të një blloku shënimesh të sekuestruara nga Selimi, dëshmitarit 04255. Por, sipas Tully kur mbrojtja kërkoi që të dihet autorësia, Prokuroria ka thënë se ‘nuk mund të thërrasim autorin e dokumentit se në këtë rast kërkoni që të jep dëshmi Selimi”.
Tully tha se i njëjti prokuror ishte tërhequr më pas duke thënë ‘më falni se mbase nuk fola sic duhet. Unë nuk thash se e ka shkruar Rexhep Selimi. Unë thashë që është sekuestruar prej tij nga ZPS-ja”.
Avokati tha se ky dokument nuk u pranua, por tregon qasjen e paqartë të Prokurorisë së sa i takon autorësisë së dokumenteve.
Tully: Dëshmitari që tha se ka dijeni për urdhra të lëshuara nga Selimi, anëtarët e familjes e përshkrujnë si gënjeshtar
Avokati Eric Tully tha se i vetmi dëshmitar i cili ka deklaruar se ka pasur dijeni për urdhra të lëshuara nga Rexhep Selimi në cilësinë e Rendit Publik, ka qenë dëshmitari W04748.
Por, sipas Tully, ky është një dëshmitar i cili nga vetë familjaret e tij është përshkruar si gënjeshtar.
“I vetmi dëshmitar që ka thirru ZPS-ja që pretendoi se kishte dijeni për urdhra specifik të lëshuar prej z.Selimi në cilësinë e rendit Puvlik ka qenë dëshmitari 04 748 që është përshkruar nga vetë anëtarët e familjes si gënjeshtar”, tha Tully.
Avokat Tully tha se ky dëshmitar nuk ka qenë në UÇK dhe ka pasur injorancë totale se si ka funksionuar UÇK-ja.
“Një person që nuk ka qenë as në UÇK në atë kohë e jo më të ketë qenë në ministrinë e Rendit Publik. Ai e kishte një injorancë totale se si ka funksionuar UÇK-ja aso kohe”, tha Tully.
Përveç kësaj, Tully tha se ky dëshmitar në mënyrë të pabazë ka thënë se ka njohuri për marrëveshje të fshehtë në mes KFOR-it dhe Policisë.
“Ishte një person që në mënyrë krejt të pabazë ka pretenduar se ka pasur njohuri për marrëveshje të fshehta në mes KFOR-i dhe Policisë dhe pavarësisht spekulimeve të tij lidhur me urdhra të lëshuar nga Selimi, ai e pranoi gjatë kundërpyetjeve se nuk kishte pasur dijeni personale lidhur me ndonjë urdhër të marrë prej Policisë në verën e 1999-ës”, tha ai.
Tutje, ai tha se nuk kishte asnjë njohuri që ndonjë prej komandantëve kishte marrë urdhra nga kjo ministri.
Sipas Tully, i vetmi dokument që ZPS-ja e konsideron si urdhër, është një komunikatë e lëshuar në emër të Selimit më 14 qershor të 1999-ës.
“ZPS-ja nuk ka thirrur dëshmitarë të vetëm që ta njoh këtë dokument. As nuk kemi ndonjë precedent. Edhe formulimi është kaq i vagullt dhe asgjë në përmbajtje nuk tregon se pushteti i Shefit të Policisë të UÇK-së ishte transferuar ministrit të Rendit Publik”, tha Tully.
Tully: ZPS s’ka vërtetuar që veprimet ose joveprimet e Selimit si ministër i Rendit Publik kanë ndikuar në kryerjen e krimeve
Eric Tully, avokat i Rexhep Selimit ka thënë se Prokuroria nuk e ka vërtetuar se veprimet ose mosveprimet e klientit të tij si ministër i Rendit Publik kanë ndikuar në kryerjen e krimeve në aktakuzë.
Po ashtu, Tully tha se nuk është vërtetuar nëse Selimi është përgjegjës për veprimet e personave të tjerë për kryerjen e krimeve në aktakuzë.
“ZPS-ja nuk ka dhënë prova për të vërtetuar që veprimet ose mosveprimet e z. Selimi si ministër i Rendit Publik kanë luajtur ndonjë rol në kryerjen e krimeve në aktakuzë apo që ai është përgjegjës për veprimet e personave të tjerë lidhur me kryerjen e krimeve në aktakuzë”, tha Tully.
Tully tha se në dosjen përfundimtare Prokuroria si duket nuk është e vendosur sa i takon përshkrimit të autoritetit të Selimit.
Avokati tha se në paragrafin 503 të dosjes përfundimtare të Prokurorisë, thuhet se Selimi kishte kontroll operativ mbi Policinë. Ndërkohë që në paragrafin 532, Tully thotë se Prokuroria potencon se pretendon se ai kishte autoritet operacionale mbi policinë dhe që ai ishte i pozicionuar për të udhëzuar pozicionet e tyre.
“Pavarësisht termave që përdor… ajo nuk ka dhënë asnjë provë për mbështetjen asnjë prej qëndrimeve të saj”, tha Tully.
Tully: Pas qershorit 1999, Policia Ushtarake e UÇK-së nuk ka qenë në përgjegjësinë e Selimit
Eric Tully, i cili përfaqëson Rexhep Selimin ka thënë se pas qershorit të 1999-s, Policia Ushtarake e UÇK-së nuk ka qenë nën përgjegjësinë e klientit të tij.
“Pas qershorit (1999) UÇK-ja dhe Policia Ushtarake e UÇK-së kanë qenë nën komandën, strukturat dhe përgjegjësinë e komandantëve të zonave. Nuk ka qenë në përgjegjësinë e z. Selimi”, tha Tully.
Ai tha se sa u përket këtyre pretendimeve, Prokuroria nuk ka arritur që të vërtetojë argumentet e veta.
“Sa i përket parashtrimeve të ZPS-së me faktin e kontrollit në qoftë se Selimi ka pasur ndonjë kontroll mbi Policinë si Ministër i Rendit Publik… ZPS-ja nuk ka arritur që të vërtetojë argumentet e veta”, tha ai.
ZPS-ja sipas Tullyt e ka përdorur këtë termë si një kosh për të vendosur prova jogojore për të dhënë përshtypje të gabuar se ekzistonte një forcë e Policisë e cila drejtohej nga Selimi si ministër i Rendit Publik.
“Për të qenë të çartë, termi Policia e UÇK-së është një tezë e ZPS-së e hartuar si një kosh ku ZPS-ja mund të hedhur sa më shumë dëshmi përmes provave jogojore për të dhënë përshtypjen e gabuar se ekzistonte një forcë Policie dhe se drejtohej nga Selimi si ministër i Rendit Publik”, tha Tully.
Tully tha se është përpjekje e Prokurorisë për të dhënë një përshtypje të gabuar.
“… ndërkohë që ky argument nuk qëndron”, tha tutje avokati, Eric Tully i cili mori fjalën që të jep deklaratën përmbyllëse pas avokatit tjetër të Selimit, Geoffrey Roberts.
Fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.
Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e cila e vazhdoji edhe më 12 shkurt e që pas përfundimit të tyre, filloi ajo e Rexhep Selimit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi