Apeli vërteton aktgjykimin e Themelores me të cilin është liruar i akuzuari për keqpërdorim të autoritetit zyrtar
Foto: Laura Hasani

Apeli vërteton aktgjykimin e Themelores me të cilin është liruar i akuzuari për keqpërdorim të autoritetit zyrtar

Aktuale February 14, 2026 - 17:23

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, e cila ka liruar nga akuza Nijazi Kryeziun për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Kundër vendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore – DKR në Prizren, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit penal.

Përmes ankesës, Prokuroria ka kërkuar që ajo të aprovohet si e bazuar dhe aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet, duke e shpallur të akuzuarin fajtor, apo çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

Ndërsa përgjigje në ankesën e Prokurorisë ka paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Nijazi Kryeziu, avokati Kujtim Kërveshi, me të cilën ka propozuar që ankesa të refuzohet, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

Sipas vendimit të Apelit, nuk qëndrojnë pretendimet sa i përket shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi aktgjykimi i ankimuar, duke përfshirë edhe arsyetimin, është i qartë dhe konkret, si dhe përmban arsye të mjaftueshme për të gjitha faktet relevante të çështjes.

Po ashtu, Apeli ka vlerësuar se pretendimet ankimore lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike nuk qëndrojnë, pasi gjykata e shkallës së parë provat e proceduara i ka vlerësuar në përputhje me dispozitat e nenit 360 të KPPRK-së, duke konstatuar se i ka vlerësuar drejt dhe analizuar faktet vendimtare, dhe në mënyrë të padyshimtë ka vërtetuar gjendjen faktike mbi bazën e së cilës e ka liruar të akuzuarin nga akuza.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se me të drejtë gjykata e shkallës së parë ka konstatuar se me provat e proceduara në shqyrtimin gjyqësor nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së. Sipas Apelit, përveç pretendimeve në aktakuzë se i akuzuari e ka lidhur kontratën me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore apo shkaktimit të dëmit Komunës së Prizrenit, Prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë që do të argumentonte këto.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren më 5 shtator 2026 kishte liruar nga akuza të akuzuarin Nijazi Kryeziu.

Gjithashtu, Gjykata Themelore në Prizren e kishte liruar Kryeziun nga akuza për korrupsion më 21 shtator 2021, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 2 gusht 2019, Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës janar–dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ai nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për persona të tjerë juridikë, konkretisht për TV Opinion.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari, pa procedurë tenderimi dhe në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e drejtorisë.

Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2015 ai kishte lidhur kontratë me TV Opinion në vlerë prej 600 euro në muaj dhe për 12 muaj kishte paguar 7,200 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të Kodit Penal. /Betimi për Drejtësi