Rënie dherash dhe gurësh në dalje në tunelit të Llogarasë
Ngjarja ndodhi si pasojë e punimeve që po kryhen në zonë.
Në dalje të tunelit të Llogarasë, në drejtim të Palasës, sot në 14 shkurt është regjistruar një rënie dherash dhe gurësh në aksin rrugor, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve.
Ngjarja ndodhi si pasojë e punimeve që po kryhen në zonë, ku masat e dheut dhe gurët përfunduan në rrugë, duke krijuar bllokim të përkohshëm të trafikut dhe radhë automjetesh, raporton gazetarja e Klan News, Greta Haskaj.
Aksi rrugor qëndroi i bllokuar për rreth 30 minuta, ndërsa në vendngjarje ndërhynë mjetet e firmës që po kryen punimet për pastrimin e segmentit dhe hapjen e qarkullimit.
Pas ndërhyrjes, trafiku u rikthye gradualisht në normalitet, ndërsa autoritetet dhe punonjësit në terren u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në zonën e punimeve, veçanërisht në dalje të tunelit drejt Palasës./TV Klan