Arif Ladi: Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së është më shumë se absurd [video]

Arif Ladi: Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së është më shumë se absurd [video]

Aktuale February 14, 2026 - 18:58

Këngëtari i mirënjohur i muzikës patriotike shqiptare, Arif Ladi, në një intervistë për Euronews Albania, ka folur për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej pesë vitesh e gjysmë ndodhen në paraburgim në Hagë, ku Prokuroria ka kërkuar dënim me nga 45 vjet burg për secilin prej tyre.

I pyetur nga gazetarja për reagimin e tij pas kërkesës së Prokurorisë dhe për perceptimin e tij lidhur me këtë proces, Ladi e ka cilësuar gjykimin si “më shumë se absurd”.

“Është më shumë se absurde, sepse luftëtarët e lirisë luftuan për mbrojtjen e atdheut të tyre. Ata sot mund të ishin dëshmorë të kombit, sepse lufta nuk përzgjidhte. Sot janë të mbijetuarit e luftës dhe përfaqësues të lirisë, përfaqësues të përpjekjeve gati 100-vjeçare të brezave që e konkretizuan lirinë e Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Ladit, liria e Kosovës erdhi në saje të luftës çlirimtare dhe sakrificës së shqiptarëve ndër breza, raporton Zeri.info.

“Ne kemi 100 vjet që luftojmë për liri. Lufta e shqiptarëve të Kosovës është një përpjekje 100-vjeçare, e konkretizuar në ditët e fundit me çlirimin e vendit”, ka deklaruar ai.

Ladi ka komentuar edhe akuzat që, sipas tij, vijnë nga Serbia.

“Serbët edhe sot përpiqen të ngrenë akuza të jashtëzakonshme, duke i quajtur kosovarët kriminelë lufte dhe organizatorë gjenocidi, me plot shpifje të tjera. Megjithatë, shqiptarët janë mësuar me këtë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se, vlerësimi i Evropës ndaj shqiptarëve nuk ka qenë gjithmonë dashamirës.

“Evropianët nuk kanë këngë lirie si ne, nuk kanë këngë për ata që kanë dhënë jetën për atdheun. Ne kemi këngë për bijtë tanë të flijuar për lirinë e vendit. Evropa ka histori pushtimesh e kolonizimesh”, është shprehur Ladi.

Duke folur për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen padrjetësisht në Hagë, ai ka theksuar se çlirimtarët e kanë lirinë “në shpirt dhe në vetë qenien e tyre”.

“Ne shqiptarët duhet të mblidhemi jo për t’i mbrojtur ata, por për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar. Sot është dita t’i themi Evropës: ‘Ne jemi popull çlirimtar’”, ka deklaruar ai.

Në fund, Ladi ka bërë thirrje për mobilizim në 17 shkurt, duke ftuar shqiptarët kudo që janë të bashkohen për të treguar, sipas tij, dinjitet dhe unitet kombëtar.

“U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që më 17 shkurt të bashkohemi për të treguar se dimë ta mbrojmë kombin dhe të drejtat tona. Prishtina duhet të jetë shumë e vogël për t’i zënë të gjithë shqiptarët që do të vijnë nga të katër anët. Madje, deri në Morinë të mos ketë vend për të hyrë në Kosovë, për shkak të pjesëmarrjes së madhe në këtë ngjarje”, ka thënë Ladi.