Kurti kërkon nga Norvegjia mbështetje për anëtarësim në KiE

Kurti kërkon nga Norvegjia mbështetje për anëtarësim në KiE

Aktuale February 15, 2026 - 18:03

Në ditën e fundit të Konferencës së Sigurisë në Mynih, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë, Espen Barth Eide.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë takimit është biseduar për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar në kuadër të marrëveshjes EFTA. Po ashtu, janë diskutuar fusha të tjera me interes të përbashkët.

Bëhet e ditur se në fokus të bisedës ishin sektorët e ekonomisë, teknologjisë, energjisë, minierave dhe mineraleve, si dhe infrastruktura. Kryeministri Kurti theksoi planet dhe projektet e mëdha kapitale të Qeverisë në mandatin e ri, veçanërisht në infrastrukturën kritike, sport dhe transport, duke i cilësuar ato si mundësi të mira për investitorët e huaj.

Kurti shprehu mirënjohje për miqësinë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Norvegjisë ndaj Kosovës, përfshirë përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.