Gucati: Prokuroria në Hagë e paaftë, drejtësia do të triumfojë
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një intervistë për RTK-në e ka quajtur të paaftë Prokurorinë e Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ai e cilësoi si “absurde” kërkesën e Prokurorisë që katër të akuzuarit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të dënohen me nga 45 vjet burgim.
Gucati u shpreh optimist se ish-krerët e UÇK-së do të lirohen në muajin maj, duke shtuar se në atë muaj, sipas tij, do të ketë edhe një festë tjetër të madhe.
Duke folur për procesin gjyqësor në Hagë, Gucati tha se bëhet fjalë për një proces të stërzgjatur.
“Është një proces maratonik që nuk ka ndodhur në histori që në gjykata ndërkombëtare të zgjasë mbi pesë vite dhe njerëzit të mbahen në paraburgim. Pres që nga mesi ose fundi i majit ish-krerët e UÇK-së të lirohen,” tha ai.
Sipas tij, Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë akuzat e ngritura dhe kërkesa për 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve është “absurdi i shekullit 21”.
“45 vjet burg për një person që sot është rreth 60 vjeç? Atëherë më mirë të kërkohej burgim i përjetshëm,” deklaroi Gucati.
Ai shtoi se beson se në fund “do të triumfojë drejtësia”, duke vlerësuar se mbrojtja e të akuzuarve ka paraqitur argumente të forta gjatë procesit.
Në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Gucati tha se mungesa e ish-krerëve në festime është e rëndë për familjet dhe qytetarët.
Megjithatë, ai bëri thirrje që qytetarët të festojnë 17 Shkurtin dhe të bashkohen në protestën e paralajmëruar nga organizatorët e iniciativës “Liria ka emër”.
Ai tha se, sipas informacioneve që posedon, në protestë pritet të marrin pjesë përfaqësues politikë nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera me shumicë shqiptare, ndërsa numri i pjesëmarrësve, sipas tij, mund të kalojë 100 mijë.
Duke komentuar rezolutën e miratuar së fundmi nga Kuvendi i Kosovës për ish-krerët që po gjykohen në Hagë, Gucati e cilësoi atë si të vonuar.
“Më vjen mirë që parlamentet e Kosovës dhe Shqipërisë e votuan, por mendoj se ka qenë e vonuar,” tha ai, duke shprehur keqardhje që, sipas tij, LDK-ja nuk e ka mbështetur atë.