Kurti pas takimit me Oravin: E nevojshme që sa më parë të marrim statusin e vendit kandidat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian, Aivo Orav, ka thënë se BE-ja është organizata e paqes dhe sigurisë e ku nënvizon se është e nevojshme që Kosova ta marrë statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian.
Kurti po ashtu thotë të kenë biseduar edhe për marrëveshjen për Planin e Rritjes që u miratua në Kuvend të premten.
“E falënderova ambasadorin Orav, shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, për urimin e tij me rastin e konstituimit të Kuvendit të legjislaturës së 10-të dhe për formimin e Qeverisë, si dhe për aprovimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, i cili ka vlerë të gjithmbarshme për Republikën tonë prej 882.6 milionë euro. Nga këto, afër 30 për qind janë grante, ndërkaq mbi 70 për qind janë kredi”, tha Kurti.
I pari i ekzekutivit nënvizoi se BE-ja është partnere e besueshme e Kosovës.
“Gjithashtu, i përsërita zotimet e Republikës së Kosovës se shteti ynë do të jetë, siç ka qenë përherë, partner i besueshëm dhe serioz i Bashkimit Evropian. Ne konsiderojmë që Bashkimi Evropian është organizata e paqes dhe sigurisë, ku ne dëshirojmë edhe të kontribuojmë, edhe të përfitojmë. Për këtë është e nevojshme që sa më parë të marrim statusin e vendit kandidat dhe pyetësorin nga Komisioni Evropian, që do të na ndihmojë t’i përshpejtojmë agjendën e reformave, që pa dyshim do të jetë prioritet i Qeverisë sonë”, theksoi Kurti. /EO