Haliti për postin e presidentit: S’kam votë personale dhe s’e kam ndërmend t’i premtoj dikujt votë nëse PDK-ja është kundër
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka hedhur përgjegjësinë tek Albin Kurti për çështjen e zgjedhjes së presidentit ose presidentes, meqë ai ka shumicën e votave, por që thekson se çdonjëri që do të vihet në këtë post, duhet të ketë besimin dhe gatishmërinë për të punuar për të mirën e Kosovës.
Porse a do ta votojë ai Vjosa Osmanin si presidente edhe për një mandat, Haliti ka thënë se nuk do të premtojë votë personale, por se vota e tij është e PDK-së.
“Çështja e presidentit është problem dhe obligim që e kanë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës për ta votuar dhe për ta zgjedhur presidentin e Kosovës. Tani, se kush do të jetë dhe kush duhet të jetë president i Kosovës është një çështje tjetër, e cila sigurisht po analizohet edhe nga partia që ka fituar zgjedhjet, pra Lëvizja Vetëvendosje, por diskutimet bëhen edhe në partitë e tjera parlamentare. Uroj që të mos ketë, së pari, sabotim ose dështim në zgjedhjen e presidentit të Kosovës. E kam thënë dhe vazhdoj ta them që, për hir të unitetit të mundshëm dhe në një farë mënyre të krijimit të një besimi më të madh për detyrën e presidentit – që nuk është noter, siç po interpretohet, por është garantues i të gjitha vendimeve të Kosovës – ai është komandant i përgjithshëm i Ushtrisë së Kosovës në rast lufte, ka kompetenca të jashtëzakonshme në marrëdhëniet me jashtë dhe obligimi kryesor i presidentit, respektivisht presidentes, është të krijojë raporte të brendshme të shëndetshme dhe të konsultohet vazhdimisht me të gjitha forcat politike. Mendoj që obligimi kryesor për ta zgjedhur dhe për të krijuar mundësinë e zgjedhjes së presidentit është te Lëvizja Vetëvendosje, te Albin Kurti, i cili udhëheq partinë më të madhe dhe ka një numër të madh votuesish”, tha Haliti.
Haliti ka ironizuar edhe me atë se kush mund të jetë kandidat.
“Kandidat ka shumë. Po t’i pyesësh 120 deputetët, secili mund të thotë: ‘Unë jam më i miri’. Por ka edhe jashtë parlamentit. Nuk do të thotë se duhet të jetë vetëm deputet, por besoj që ai apo ajo që duhet të zgjidhet duhet të ketë besimin dhe gatishmërinë për të punuar për Kosovën dhe jo për interesin personal. A keni ju votë për Osmanin?”, theksoi ai. Po ashtu ai tha se voton dikë për të cilin PDK-ja është kundër.
“Vota ime është vota e PDK-së. Nuk kam votë personale dhe nuk kam ndërmend t’i premtoj askujt votë personale nëse PDK-ja është kundër”, tha ai. /eo