Krerët e shtetit: Republika e Kosovës u arrit me sakrifica të larta
Me ceremoni shtetërore është ngritur flamuri i Republikës së Kosovës në oborrin e ndërtesës së Qeverisë, në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë.

Të pranishëm ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me kabinetin e tij dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Pas ceremonisë së ngritjes së flamurit Osmani tha se sot Kosova hyn në moshën e pjekurisë.“I uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë së shtetit tonë sovran dhe të pavarur. Është një ditë ku të gjithë bëhemi bashkë. Në radhë të parë për të festuar këtë përvjetor të shtetit tonë të ri, i cili tashmë po hyn në moshë të pjekurisë, dhe në të njëjtën kohë bëhemi bashkë për të përkujtuar të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka që ne sot ta gëzojmë shtetin. Natyrisht që sakrifica për të arritur deri këtu ka qenë shekullore. Shpeshherë ne fokusohemi te vitet e fundit, 80-ta e 90-ta, por në fakt kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka në mënyrë që ne sot ta gëzojmë shtetin e pavarur të Kosovës. Shprehim respektin më të thellë për të gjithë që kontribuuan. Shprehim respektin më të thellë për rrugën dhe kontributin e presidentit tonë historik, atit themeltar dhe arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, mbi sakrificën e familjes Jashari, në krye me komandantin Adem Jashari, për mijëra dëshmorë, heronj të UÇK-së, për të gjithë ata që dhanë jetën, dhanë mundin dhe bënë sakrificë në mënyrë që të gjithë së bashku t’i gëzohemi shtetit tonë. Natyrisht që është kjo sakrificë që ka trasuar rrugën tonë përpara, për forcimin e shtetit tonë drejt rrugës euroatlantike, në këtë familje ku ne gjithmonë e kemi pasur vendin”, tha Osmani.
Duke uruar qytetarët për përvjetorin e pavarësisë, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se pavarësinë e nderojnë duke punuar me institucione funksionale të cilat funksionojnë me integritet e profesionalizëm.
Haxhiu pas ngritjes së flamurit në një ceremoni, tha se sot po ashtu kujtojnë me ndërtim të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësi.
“Sot shënojmë 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, mbase një republikë e re, por jo edhe aq e re për të kuptuar se liria kërkon angazhim të përditshëm. Sot, por edhe çdo ditë tjetër, kujtojmë me nderim dhe respekt të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësinë që ne sot e gëzojmë. Pra, dëshmorët e kombit dhe martirët. Por po ashtu nderojmë edhe figurat e larta që kontribuuan në rrethana dhe periudha të ndryshme për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Pavarësinë e nderojmë nëse punojmë me institucione funksionale që funksionojnë me integritet dhe po ashtu me profesionalizëm”, tha Haxhiu.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova po rritet. Ai theksoi se gjatë viteve të pavarësisë është rritur numri i njohjeve të shtetësisë, është zhvilluar ekonomia e vendit, është rritur mirëqenia e qytetarëve dhe është forcuar fuqia e shtetit.
Sipas tij, para tetëmbëdhjetë vjetësh lindi pavarësia e Republikës së Kosovës, e cila u arrit falë shumë brezave veprimtarësh, ndër breza të panumërt të popullit tonë, që kontribuuan dhe u sakrifikuan që ne sot të jemi të lirë e të pavarur, me një shtet demokratik dhe sovran.
“Sot festojmë, por njëkohësisht nderojmë edhe rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura, të cilat kulmuan me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai. /eo