Më 27 shkurt, deklaratat hyrëse për Thaçin dhe të tjerët në rastin për pengim të drejtësisë

Më 27 shkurt, deklaratat hyrëse për Thaçin dhe të tjerët në rastin për pengim të drejtësisë

Aktuale February 17, 2026 - 10:24

Dhomat e Specializuara në Hagë bënë të ditur se më 27 shkurt do të mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në rastin për pengim të drejtësisë.

Ata akuzohen se, gjatë periudhës prill-nëntor 2023, kanë ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria për çështjen gjyqësore për krime lufte “Thaçi dhe të tjerët”.

Aktakuza e konfirmuar nga gjykata më 29 nëntor, 2024, thekson se Thaçi u dha informacione konfidenciale bashkëpunëtorëve të tij dhe i udhëzoi ata për të ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve.

Të pesë të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Pas deklaratave hyrëse, Prokuroria do të fillojë prezantimin e provave të saj.

Thaçi, ish-president i Kosovës, akuzohet edhe për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, së bashku me tre ish-eprorë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Të katërtit i kanë mohuar akuzat.

Në këtë rast, nga java e kaluar, janë duke u zhvilluar deklaratat përmbyllëse, gjatë të cilave mbrojtja argumentoi se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për krimet e pretenduara, ndërsa Prokuroria kërkoi që të katërtit të shpallen fajtorë.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues, i cili ka afat tre muaj për të marrë një vendim ose mund të kërkojë zgjatjen e këtij afati.

Njoftimi i sotëm vjen në ditën kur Kosova shënon 18-vjetorin e pavarësisë, ndërsa pritet edhe një protestë që do të adresojë, sipas organizatorëve, trajtimin e padinjitetshëm të të akuzuarve në Hagë. /rel