Pse u mbajt sekret data e 17 shkurtit? Enver Hoxhaj tregon si nisi historia e re e Kosovës
Enver Hoxhaj, ish-ministër i Jashtëm dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, ka zbuluar detaje të panjohura më parë rreth mënyrës se si u përzgjodh dhe u mbajt sekret data e shpalljes së pavarësisë.
Në një intervistë, ai tha se 17 shkurti ishte koordinuar në një rreth shumë të kufizuar politik dhe diplomatik, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë.
Sipas tij, data ishte dakorduar mes ambasadores së SHBA-së në Kosovë dhe kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, ndërsa ishte diskutuar edhe me Ekipin e Unitetit dhe me përfaqësuesit kosovarë që kishin marrë pjesë në negociatat e Vjenës për statusin final të Kosovës.
Hoxhaj theksoi se rrethi i njerëzve që e dinin datën ishte shumë i vogël dhe se atyre u ishte kërkuar ta mbanin atë sekret absolut, madje edhe nga familjarët.
“Ka qenë një datë që është koordinuar mes ambasadores së SHBA-së në Kosovë dhe kryeministrit Thaçi. Kjo datë është biseduar edhe me Ekipin e Unitetit dhe e kemi ditur një pjesë e jona, që kemi pasur fatin historik të jemi pjesë e negociatave në Vjenë, për pavarësinë e Kosovës. Neve na është kërkuar që këtë datë ta mbajmë për vete. Ne kemi qenë një gjeneratë e cila shpesh herë ngjarjet e lumtura për popullin shqiptar, por edhe ngjarjet e hidhura, i kemi mbajtur për vete shpesh herë, që të mos i ndajmë jo vetëm me kolegët politikë, por as me familjen tonë.”, ka thënë Hoxhaj, në Euronews Albania.
Sipas Hoxhajt, kjo qasje e mbajtjes së fshehtë të datës ishte pjesë e përgjegjësisë historike që kishte brezi politik që udhëhoqi procesin e pavarësisë, për të garantuar koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë dhe një tranzicion të sigurt drejt shpalljes së shtetit të ri.