Presidenti i Maldiveve uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë
Presidenti i Maldiveve, Mohamed Muizzu, ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në mesazhin e tij zyrtar, kreu i shtetit maldivian ka përcjellë urimet e përzemërta në emër të Qeverisë dhe popullit të Maldiveve për Presidenten Osmani, Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar këtë përvjetor si një moment të rëndësishëm shtetëror.
Ai ka shprehur gjithashtu urimet e tij personale për shëndet dhe lumturi për Presidenten Osmani, si dhe ka dëshuar paqe dhe prosperitet të vazhdueshëm për popullin e Kosovës.
“Përcjell urimet e mia të përzemërta dhe dëshirat më të mira për Presidenten, Qeverinë dhe popullin e Kosovës me rastin e kësaj dite të rëndësishme shtetërore, si dhe dëshiroj paqe dhe prosperitet të vazhdueshëm për Republikën e Kosovës”, thuhet në mesazhin e Presidentit Muizzu.
Urimi i Presidentit të Maldiveve vjen në kuadër të mesazheve të shumta ndërkombëtare që Kosova ka pranuar me rastin e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë.