Ambasadori gjerman: Kosova duhet t’i shmangë zgjedhjet e parakohshme dhe paqëndrueshmërinë institucionale
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka deklaruar se shpreson që Kosova të shmangë zgjedhjet e parakohshme dhe një tjetër periudhë pasigurie politike, duke theksuar rëndësinë e funksionimit stabil të institucioneve.
Ai u shpreh se, ndonëse nuk ka këshilla për t’i dhënë udhëheqjes politike të vendit, shpreson që zgjidhja për situatën aktuale të gjendet së shpejti.
“Shpresoj që vendi të shmangë një tjetër palë zgjedhje të parakohshme. Mendoj se zgjidhja mund të gjendet në ditët në vijim, më shumë për ditë sesa për javë, dhe që vendi të vazhdojë të funksionojë me një qeveri stabile, pa hyrë në një tjetër periudhë pasigurie, e cila do të ishte e pashmangshme. Kjo do të ishte vërtet për të ardhur keq”, ka deklaruar ambasadori në Kanal10.
Ai shtoi se kjo çështje është e rëndësishme për Kosovën si në planin e brendshëm politik, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Rudolphi ka konfirmuar se është takuar si me kryeministrin Kurti ashtu edhe me presidenten Osmani, duke vlerësuar bashkëpunimin me të dy si shumë të mirë.
“Sipas përshtypjes sime, të gjithë këtu e kuptojnë rëndësinë e stabilitetit institucional. Besoj se të gjithë e pranojnë që viti i kaluar la një përshtypje jo të mirë për Kosovën jashtë vendit, një vend që nuk kishte qeveri për një vit të tërë”, shtoi ai.