Andoni: Jemi vonuar për mbrojtjen e liderëve të UÇK-së, dënimi do t’i jepte oksigjen Serbisë dhe lehtësi të madhe Brukselit
Foto: Laura Hasani

Andoni: Jemi vonuar për mbrojtjen e liderëve të UÇK-së, dënimi do t’i jepte oksigjen Serbisë dhe lehtësi të madhe Brukselit

Aktuale February 19, 2026 - 12:28

Publicisti Ben Andoni thotë se Kosova dhe Shqipëria janë vonuar për t’i mbrojtur në mënyrë të duhur katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai thotë se faktori shqiptar nuk u bashkua për një narracion të përbashkët dhe sipas tij, shqiptarët i braktisën ata.

Andoni tha në një intervistë me shkrim për Express se një dënim i mundshëm ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do ta “qetësonte” një pjesë të politikanëve në Kosovë dhe do t’i jepte Serbisë “pak më shumë oksigjen” dhe një “lehtësi të madhe” Brukselit.

Ai nuk e beson pretendimin e Ramës se presidentja e Kosovës është kërcënuar për dy vjet nga Prokuroria e Specializuar në Hagë për shkak se s’i ka lënë të kryejnë kontrolle në zyrën e Presidentit. Sipas tij, Vjosa Osmani “po kërkon një lloj protagonizmi të tepruar në këto situata”

Andoni dyshon se ajo mund të rizgjidhet në pozitën e presidentes, pasi, siç thotë, e ka humbur disi këtë mundësi me kalimin e kohës.

Osmani dhe Rama janë sot në Washington për takimin inaugurues të Bordit të Paqes të Donald Trump. Andoni mendon se Kosovës dhe Shqipërisë do t’u kërkohet nga presidenti amerikan “të kontribuojnë në një kohë të caktuar”.

Gazeta Express: Si e keni parë procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë?

Andoni: Ashtu si mendohej të ishte. Personalisht, procesi më është dukur i zvargur dhe disi konfuz. Tashmë jemi shumë të vonuar sa i përket një strategjie të duhur mbrojtëse. Dukej se Tribunali i kishte gati akuzat dhe procesi thjesht është zhvilluar për t’i justifikuar akuzat. Më është dukur se faktori shqiptar s’ka qenë në sinkron që të punonte prej muajsh për një narracion që edhe luftën ta ngrinte por edhe t’i shfajësonte sa më shumë, katër liderët e UÇK-së. Strategjia e mbrojtjes së tyre duhej të përgatitej nga një grup juristësh dhe historianësh të mirë prej kohësh, bashkë me një fushatë të zgjedhur mediatike. Por, ashtu si janë zhvilluar punët në Kosovë dhe mënyra sesi i kanë akuzuar liderët dhe vetë shqiptarët po mendoj se ne i braktisëm ata. Shpresoj dhe mendoj logjikisht që dënimi i tyre do të jetë në rastin më të keq shumë më pak vite sesa kërkoi Prokuroria.

Kryeministri Rama tha të hënën në Prishtinë se ky proces është “një katastrofë” dhe i ndikuar nga “forca që duan t’i barazojnë dy forca që nuk barazohen dot”. Çfarë dëmi politik do t’i bënte Kosovës një dënim me burgim për katër ish-krerët e UÇK-së?

Andoni: Kam përshtypjen që z. Rama dhe të tjerët, në këto orë para vendimit, duhet të heshtin dhe nëse do të duan të flasin të jenë sa më ‘fair’ me Dhomat e Specializuara. Kjo sepse çdo fjalë e tepërt mund të shkaktojë probleme tek verdikti final i Trupit Gjykues. Dhe, gjuha e përdorur prej z. Rama disa herë ka qenë e tepërt. Ka mjaftuar mbrojtja dhe deklarata që bënë të katër liderët për të treguar sublimitetin e kauzës së tyre dhe besimin real se janë të pafajshëm. Sidomos, në rastin e z. Thaçi, që është një nga njerëzit që e ka mundësuar këtë Gjykatë dhe mënyra sesi u drejtua e tregoi shumë të matur dhe të vendosur për fatin e tij. Sa për argumentin e barazimit me Serbinë, ky element nuk qëndron. Janë mbi 90 serbë që kanë dalë para Gjykatës së Krimeve të Luftrave për Ish-Jugosllavinë. Paçka dënimeve të pamjaftueshme të një pjese prej tyre, që nuk e ka justifikuar veprimtarinë e tyre, personalisht kam perceptimin se kanë marrë përbuzjen e të gjithë botës së qytetëruar me atë që bënë në Slloveni, Kroaci dhe kulmuan në Bosnjë me masakrat e paimagjinueshme për Civilizimin në shekullin XX. Nuk ka asnjë krahasim me Kosovën që është mbrojtur dhe për më tepër është përzënë gati e gjithë popullsia nga Kosova. Nga ana politike e brendshme, dënimi i tyre, do ‘qetësonte’ një pjesë të politikanëve në Kosovë, sepse do të largoheshin dy protagonistë si Thaçi dhe Veseli që u bënin hije, por edhe do vendoste konjuktura të tjera tek PDK-ja për të ardhmen. Sa i përket aspektit të jashtëm, do t'i jepte pak më shumë oksigjen politikës së jashtme serbe, lidhur me pengesat e vazhdueshme që i bën Kosovës dhe përpjekjes së saj për të retushuar imazhin e agresorit. Por, lehtësinë më të madhe do e kishte Brukseli se do gjente një ekuilibër për politikën e saj fluide dhe plot gabime në rajon, të cilën do ta mbajë në këtë rast me një status quo jo normale.

Rama foli për një kërcënim ndaj Osmanit nga Prokuroria në Hagë, për shkak se, siç tha, s’i ka lejuar të kontrollojnë në Zyrën e presidentit. Disa e panë si ndihmë për synimin e saj për ta marrë një mandat të dytë. Juve si u është dukur?

Andoni: Nuk besoj të ketë pasur kërcënim për zonjën Osmani, ashtu siç shtrohet për median ky lajm. Prokuroria kërkon dokumente, po nuk mund të kontrollojë një zyrë presidenti, kur mendon se Dhomat e Specializuara dhe vetë Prokurioria e Hagës janë nën tagrin e Ligjeve të Kosovës. Por, protagonizmi i saj i kohëve të fundit është i lodhshëm dhe paçka qëndrimeve të saj të fundit në mbrojtje të liderve në Hagë nuk duhet harruar retorika e saj për ato personazhe. Nëse mund të kishte kërcënime mund të kishte Kurti, kurse zonja Osmani po kërkon një lloj protagonizmi të tepruar në këto situata, ku Kosova është ende në zgrip dhe ende pa gjetur ekuilibrin për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Është ende një ngërç që mund të shkaktojë zgjedhje të tjera. Ka kohë që z. Rama po e mbështet dhe duket si një lloj qasje tjetër institucionale e Ramës ndaj Kosovës përmes marrëdhënies me të. Komunikimi i mirë dhe pragmatizmi i bashkon shumë kohët e fundit Ramën me Osmanin, kohë kur të dy kanë shumë probleme në vendet respektive.

A shihni shanse që Osmani të rizgjidhet presidente edhe për një mandat?

Andoni: Personalisht e dyshoj rizgjedhjen, sepse me kalimin e kohës ka humbur shumë si figurë unifikuese dhe pozicionin e besueshmërisë mbi partitë, ndërsa “Guxo”, formacioni i saj, nuk është më faktor si më parë në Kosovë. Në shumë raste, ajo nuk ka qëndruar dot mbi palët, kurse shemria me gratë e tjera të qeverisë “Kurti” e bëjnë atë jo një figurë aq të dashur të LVV-së, ashtu si qëndrimi që ka mbajtur ndaj partive të tjera, ku LDK-ja do e ketë të vështirë ta pranojë dhe një mandat tjetër, gruan, që gati e shpërbeu këtë formacion me ikjen e saj.

Rama u prit me ceremoni shtetërore nga kryeministri Kurti në Prishtinë. Çfarë tregon kjo, sipas jush?

Andoni: Po mendoj se është normale dhe e mirë dhe e arsyeshme, sepse zakonisht vizitat e para të krerëve të shteteve në vende të ndryshme por që kanë kombet e ngjashme e kanë të arsyeshme këtë lloj protokolli. Ashtu, si me gjasë, Kurti vizitën e parë zyrtare do ta bëjë në Tiranë. I vetmi handikap është se u bë një ditë para festimeve të pavarësisë dhe pothuajse nuk dihej fare në Tiranë. Duket si një takim i sajuar. Megjithatë, personalisht më erdhi mirë që Rama shkoi në Kosovë dhe do të doja të ishte shumë më i pranishëm atje dhe madje të rigjallërojë me Kurtin idetë e mbledhjeve të përbashkëta të rregullta, kuptohet pasi të kenë bërë një inventar për dhjetërat e marrëveshjeve mes dy vendeve tona.

Rama dhe Osmani do të jenë sot në Washington për takimin inaugurues të Bordit të Paqes. Ju keni folur për interesa të caktuara lidhur me këtë. Keni thënë se Shqipërisë mund t’i kërkohet të strehojë palestinezë. Po Kosovës?

Andoni: Besoj që të dy vendeve tona, më shumë nga një logjikë e arsyeshme, do t’u kërkohet të kontribuojnë në një kohë të caktuar. Kuptohet nëse Bordi i Paqes do të bëhet ndonjëherë me fuqi ekzekutive. Duke ditur se buxhetet e dy vendeve tona janë shumë modeste, duke parë predispozitën që kemi për çdo gjë që bën SHBA-ja, arsyeja më shtyn të besoj se ky lidhet me kontributin tonë, përpos pjesëmarrjes me ndonjë trupë ushtarake ose të ndonjë lloji tjetër, nëse kërkohet. Por deri tani, Bordi i Paqes është ende i paqartësuar, ndaj neve na mbetet të presim, sidomos pasojat e këtij vendimi pjesëmarrjeje që për hir të së vërtetës, në këtë moment historik, na ka veçuar disi me Evropën. Duke ditur se i vetmi kontribut yni është strehimi dhe kjo po ndodh në të dy vendet tona dhe me bisedat e fundit zyrtare për projektet e burgjeve me Danimarkën dhe Belgjikën, besoj se Shqipëria pas muxhahedinëve dhe afganëve nuk është çudi të presë dhe palestinezët, diçka që e kemi bërë dikur në socializëm, duke stërvitur grupet e tyre të rezistencës.