Shpallja e 17 Shkurtit si datë zyrtare nëpër disa shtete në SHBA, Martin Vulaj flet për rëndësinë

Shpallja e 17 Shkurtit si datë zyrtare nëpër disa shtete në SHBA, Martin Vulaj flet për rëndësinë

Aktuale February 19, 2026 - 13:14

Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës tashmë është njohur si datë zyrtare në kryeqytetin e SHBA-së dhe në disa shtete të ndryshme amerikane.

Drejtuesja e Washington DC, Maurie Bowser, ka qenë e para që e ka marrë një vendim të tillë, duke e njohur 17 Shkurtin si datë zyrtare. Ky vendim i saj është ndjekur pastaj nga Arizona, Masachusetsi, Illinoisi, Iowa, Marylandi dhe New Hempshire.

Ky vendim është marrë për shkak të lidhjes së fortë në mes të dy popujve dhe për kontributin që shqiptarët e Kosovës kanë dhënë ndër vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për aktivistin shqiptar në SHBA, Martin Vulaj, shpallja e 17 shkurtit si datë zyrtare nga këto shtete të SHBA-së është një promovim i raportit të fortë mes dy shteteve.

Vulaj thotë se edhe pse shtetet nuk e përcaktojnë diplomacinë amerikane, përmes këtyre veprimeve ato tregojnë përkrahjen e madhe që ekziston për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

“Njohja e 17 shkurtit si Dita e Pavarësisë së Kosovës nga disa shtete të SHBA-së është një afirmim simbolik i marrëdhënies së fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Edhe pse shtetet nuk përcaktojnë politikën e jashtme, këto proklamata pasqyrojnë mbështetjen e gjerë amerikane për pavarësinë, zhvillimin demokratik dhe sovranitetin e Kosovës”, ka thënë Vulaj për Express.

Ai ka thënë se kjo njohje e 17 Shkurtit si datë zyrtare nderon komunitetin shqiptaro-amerikan dhe punën e bërë ndër vite për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.

“Këto njohje gjithashtu nderojnë komunitetin shqiptaro-amerikan, avokimi dhe kontributet e të cilit kanë qenë thelbësore në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve. Për shumë njerëz, këto proklamata përfaqësojnë njëkohësisht njohjen e arritjes historike të Kosovës dhe rolin e rëndësishëm që shqiptaro-amerikanët luajnë në jetën qytetare të Shteteve të Bashkuara”, shprehet Vulaj.