Bekim Jashari dhe motra Besarta kujtojnë babain e tyre Hamëz Jasharin në ditëlindje: Për ty është ndalur koha
Bekim Jashari së bashku me motrën e tij Besartën e kanë uruar për ditëlindje babain e tyre heroin Hamëz Jashari.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka bërë të ditur se sot babai i tij do të mbushte 76 vjet, raporton Zeri.info.
Jashari shtoi se dashuria dhe mirësia e babait të tij vazhdojnë ta shoqërojnë atë dhe motrën e tij.
“Ishe vetëm 48 vjeç kur, në marsin e vitit 1998, në Prekaz, bashkë me familjen, vendose të biesh për liri. Sot je më i ri se unë, sepse për ty është ndalur koha, kurse për ne të vdekshmit po ecën shpejt”, ka shkruar ai.
“Ishe i dashur dhe i afërt me familjen, por zgjodhe të mos ishe vetëm i yni — zgjodhe të ishe i gjithë shqiptarëve. Për 48 vite jetë ke dhuruar dashuri dhe mirësi për familjen, e cila sot po na përcjell mua, Besartën dhe të gjithë nipat e mbesat e tua. Babush, urime ditëlindjen e 76-të!”, ka shkruar Bekim Jashari. /Zëri