PDK-ja akuzon pushtetin për rrëzimin e 32 amendamenteve rreth buxhetit, përfshirë mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së

PDK-ja akuzon pushtetin për rrëzimin e 32 amendamenteve rreth buxhetit, përfshirë mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së

Aktuale February 20, 2026 - 11:50

Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar ashpër shumicën parlamentare për mosmbështetjen e amendamenteve të saj në projektbuxhet, duke përfshirë edhe atë që parasheh rritjen e fondeve për mbrojtjen juridike të ish-krerëve të UÇK-së në procesin gjyqësor në Hagë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha në hollin e Kuvendit se institucionet do të duhej të rrisnin mbështetjen financiare për ish-luftëtarët që, sipas tij, po përballen me një proces të padrejtë.

“Për një proces të padrejtë siç është ai në Hagë, më e pakta që do të duhej të bënte vendi është të rriste mbështetjen financiare, në mënyrë që kostoja e lartë të përballohet më lehtë”, deklaroi Tahiri.

Ai përmendi se amendamenti për këtë çështje nuk mori mbështetjen e shumicës, me përjashtim të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, i cili votoi për.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së Blerta Deliu bëri të ditur se partia e saj ka propozuar gjithsej 32 amendamente, të cilat, sipas saj, synonin ta bënin buxhetin më gjithëpërfshirës dhe më të favorshëm për qytetarët.

Ajo theksoi se amendamentet kanë të bëjnë me rritjen e pagave, përmirësimin e mirëqenies, investime në shëndetësi, arsim, polici dhe infrastrukturë, si dhe me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat në sektorin publik. Po ashtu, sipas saj, janë propozuar ndryshime që prekin drejtpërdrejt sigurimet shëndetësore dhe jetësore për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë, AKI-së dhe zjarrfikësit.

Deliu shtoi se një nga amendamentet ka kërkuar rritjen e fondeve për mbrojtjen juridike në procesin në Hagë, duke përfshirë edhe fazën e dytë për Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.

Sipas saj, janë propozuar gjithashtu amendamente për përshpejtimin e ndërtimit të spitalit të Ferizajt, për qendrën e kujdesit paliativ dhe për qendrën rezidenciale për fëmijët me nevoja të veçanta.

“Ky buxhet është i mangët dhe nuk përfaqëson barazinë”, tha Deliu, duke theksuar se për këto arsye PDK-ja nuk do ta votojë projektbuxhetin.