Murati: Projektbuxheti 2026 i përkohshëm emergjent, s’ka pasur hapësirë për ndryshime
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet në lexim të dytë projektbuxheti për vitin 2026, ministri i Financave Hekuran Murati deklaroi se dokumenti aktual është hartuar si buxhet i përkohshëm emergjent, për shkak të kufizimeve kohore.
Murati bëri të ditur se gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit janë shqyrtuar të gjitha amendamentet, duke rikonfirmuar – siç tha – edhe atë që u ngrit nga deputeti Besnik Tahiri.
“Gjatë ditës së djeshme në komision kemi shqyrtuar të gjitha amendamentet dhe ajo që mund të them është ta rikonfirmoj atë që e tha edhe deputeti Besnik Tahiri, sapo e tha dhe e kërkoi të konfirmohet. Siç e kemi thënë edhe në fillim, ky është një buxhet i përkohshëm emergjent dhe për këtë arsye ne si Qeveri nuk ua kemi dhënë hapësirën as ministrive që i kanë marrë dikasteret e tyre përsipër që të bëjnë ndryshime, duke konsideruar se nuk kemi shumë kohë për të bërë ndryshimet e nevojshme dhe në mënyrë cilësore, në mënyrë që ato pastaj të mos reflektojnë me probleme gjatë rrugës”, tha Murati.
Ai theksoi se qasja e Qeverisë ka qenë që projektbuxheti të procedohet brenda afateve, ndërsa ndryshimet më të thelluara të trajtohen në faza të tjera, me qëllim shmangien e problemeve në zbatim. /Zëri