Intervista e vitit 2001 në Zëri: A kishte Kurti synim të bëhej president i Kosovës?
Albin Kurti, atëherë aktivist politik, sapo ishte liruar nga burgu në Serbi dhe në një intervistë për gazetën Zëri të vitit 2001 ndau përvojën e tij dhe planet personale e profesionale.
Mes shumë pyetjeve për shtojcën “Jeta”, Kurti u pyet edhe për ambiciet e tij pas daljes nga burgu. Në intervistën e para 25 vjetësh, ai theksoi se synonte të realizonte disa ëndrra dhe objektiva, kryesisht në planin politik për interesa kombëtare.
“Natyrisht, mendoj të shfrytëzoj jetën sa më mirë dhe gjithnjë në funksion të atyre synimeve”, kishte thënë Kurti.
Kur iu drejtua pyetja: “Në një të ardhme të afërt apo të largët, a do të pranoje postin e presidentit të Kosovës?”, ai u përgjigj:
“Postet dhe pozitat politike nuk më preokupojnë, sidomos jo në këtë periudhë. Ajo që është interesante dhe e vlefshme për mua është që përpjekjet e mia të jenë në formën e duhur. Forma e këtyre përpjekjeve shpesh konkretizohet në poste politike, por kjo për mua nuk është madje as e dorës së dytë. Është me rëndësi që kapaciteti, aftësia dhe potenciali i njeriut të mund të shfrytëzohet maksimalisht në një formë të caktuar politike”.
Intervista e publikuar në Zëri risjell një pasqyrë të qartë të pikëpamjeve të Kurtit në fillimet e tij politike dhe fokusit të tij mbi angazhimin publik. /Zëri
