Një orë më pak për punonjëset gra të Fushë Kosovës, vendimi ngrit debate për barazinë
Vendimi i fundit që ka marrë Komuna e Fushë-Kosovës ka vendosur një vijë ndarëse mes punonjësve burra dhe gra.
Nën arsyetimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, kryetari i kësaj komune, Valon Prebreza ka vendosur t’i lirojë këto të fundit një orë më herët nga puna.
Për Rrjetin e Grave të Kosovës, një vendim i tillë përcjell mesazhin e gabuar.
“Është një vendim në vijë me normat patriarkale të cilat fatkeqësisht mbizotërojnë në shoqërinë tonë edhe e organizojnë mënyrën e jetesës në Kosovë. Mirëpo, është fatkeqësi që prej institucioneve vijnë kësi vendime që janë edhe vet në kundërshtim me Kushtetutën tonë e cila thotë se Kosova është një vend laik. Kjo tregon se Komuna e Fushë-Kosovës i sheh gratë brenda rolit tradicional, ato të cilat duhet të sakrifikojnë brenda muajit të Ramazanit, të dalin më herët të përgatisin iftarin. Kjo është arsyeja pse janë liru, të kthehen në kuzhinë”, deklaroi Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës
Pavarësisht qëllimit, për Berishën institucionet nuk e kanë në domenin e tyre të krijojnë kushtet për praktikimin e fesë.
“Nuk mundet të them specifikisht se është diskriminim gjinor sepse qëllimi, ndonëse rezultatin e ka negativ, qëllimi po besoj është mendu si diçka pozitive mirëpo s’është menduar për pasojat që i len në shoqëri, forcimin e bindjeve dhe stereotipeve gjinore se si gratë vendin e kanë në kuzhinë dhe janë të vetmet që e kanë rolin në kuzhinë. Ndoshta do ishte më e pranueshme sikurse Fushë-Kosova të merrte vendimin se të gjithë personat që agjërojnë, lirohen ma herët por mendoj që sikurse ndryshimi në shkolla, mbetet në kundërshtim me Kushtetutën. Praktikimi i feve mbetet në llojin individual/personal të individit”, tha ajo.
Televizioni ka dërguar pyetje në Komunën e Fushë-Kosovës për sqarime më të detajuara rreth vendimit por zyrtar të saj nuk janë përgjigjur.