Mbi 40 të shoqëruar në polici pas protestës në Tiranë, ndër ta tre të mitur

Mbi 40 të shoqëruar në polici pas protestës në Tiranë, ndër ta tre të mitur

Aktuale February 21, 2026 - 08:22

Partia Demokratike organizoi këtë të premte protestën e katërt kombëtare, e cila u shoqërua me tensione pasi disa protestues hodhën molotov drejt policisë te Kryeministria dhe te Parlamenti i Shqipërisë. Forcat e rendit u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës, ujë dhe bomba zhurmuese.

Burime thonë se janë shoqëruar mbi 30 protestues ndërsa në lidhje me këto shoqërime, deputetët e PD-së kanë mbërritur te Komisariati i Policisë Nr. 1, aty ku ndodhen disa nga protestuesit e shoqëruar.

Të shoqëraurit dyshohet se kanë sulmuar me fishekzjarre dhe molotov efektivët dhe godinat e institucioneve.

Nga pamjet e siguruara nga Euronews Albania shihen deputetë të PD-së teksa hyjnë brenda Komisariatit Nr. 1 në Tiranë.

Sipas pretendimeve që vijnë nga Partia Demokratike, 1 prej protestuesve që ndodhet në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është dhunuar nga efektivë të policisë dhe është refuzuar të dërgohej në spital për ndihmë mjekësore.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi se, pas insistimit të deputetëve demokratë, ambulanca e ka marrë protestuesin e dhunuar nga policët për ta dërguar në spital. Bardhi, deklaroi se pas protestës së katërt kombëtare të PD-së, po ashtu janë shoqëruar tre të mitur dhe një person me aftësi të kufizuara ndërsa në total tha se janë shoqëruar rreth 41 protestues.