PD-ja vendos protestën e radhës më 28 shkurt, Berisha kërkon mobilizim
Partia Demokratike do të zhvillojë protestën e radhës të shtunën, më 28 shkurt. Bëhet me dije se kryetari i PD-së, Sali Berisha, u ka kërkuar strukturave të partisë angazhim maksimal për të siguruar pjesëmarrje masive në tubim.
Strategjia e protestës pritet të përcaktohet nga forumet e PD-së, të cilat do të vendosin mbi formatin dhe organizimin e saj.
PD zhvilloi dje (20 shkurt) protestën e tretë kombëtare para kryeministrisë, që u shoqërua me tensione dhe akte dhune. Molotovë, mjete piroteknike, gurë dhe mjete të tjera të forta u hodhën në drejtim të godinës së Kryeministrisë dhe Parlamentit, ndërsa policia u kundërpërgjigj në disa episode me gaz dhe ujë.
Policia e Tiranës bëri të ditur, se ka identifikuar 46 persona, ku janë arrestuar 18 ndërsa janë proceduar penalisht 28 të tjerët./rtsh