“Një maskaradë ndërkombëtare” – Rama kritikon Hagën për ish-krerët e UÇK-së
Foto: Laura Hasani

“Një maskaradë ndërkombëtare” – Rama kritikon Hagën për ish-krerët e UÇK-së

Aktuale February 22, 2026 - 10:10

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për ngjarjet më të rëndësishme të javës në podkastin “Flasim”, duke theksuar pjesëmarrjen e tij në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes në Washington dhe duke komentuar situatën e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

“Vizita në Washington për mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes ishte padyshim momenti më i veçantë i kësaj jave. Shqipëria u ul me krenari në një tryezë ku po hapet një kapitull i ri në arkitekturën globale, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes”, tha Rama, duke vlerësuar rolin e vendit tonë në iniciativat ndërkombëtare.

Edi Rama ndan në Facebook një foto të veçantë

Kryeministri gjithashtu u ndal tek situata në Hagë, ku sipas tij, Drejtësia Ndërkombëtare ka vepruar në mënyrë të padrejtë ndaj ish-udhëheqësve të luftës çlirimtare.

“Më vjen mirë për jehonën e fjalës që mbajta në emër të Shqipërisë, ku konfirmova pjesëmarrjen tonë në forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza, po mbi të gjitha përcolla shqetësimin tonë për maskaradën e pabesueshme të Drejtësisë Ndërkombëtare në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe çlirimtarëve të Kosovës”, theksoi Rama.

Ai shtoi se niveli i ri i sensibilizimit për këtë gjykatë, ku sipas tij akuza dështoi të provojë se UÇK ishte një sipërmarrje kriminale, mund të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupës gjykuese.

“Trupa gjykuese duhet të zgjedhë mes drejtësisë për Kosovën dhe turpit të njollosësve të saj, midis pafajësisë së çlirimtarëve dhe poshtërsisë së përndjekësve të tyre”, deklaroi Rama, duke theksuar rëndësinë e dinjitetit të gjykatës.

Në këtë intervistë, kryeministri e ka përmbledhur javën duke theksuar si prioritet angazhimet e Shqipërisë në forumet ndërkombëtare dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.