Besnik Bislimi pritet të udhëheqë Zyrën për Ekspertizë dhe Mbikëqyrje të Ministrive
Foto: Laura Hasani

Besnik Bislimi pritet të udhëheqë Zyrën për Ekspertizë dhe Mbikëqyrje të Ministrive

Aktuale February 23, 2026 - 13:50

Zyra për Ekspertizë dhe Mbikëqyrje Strategjike do të udhëhiqet nga Besnik Bislimi, mëson televizioni Dukagjini.

Kjo Zyrë që do të veprojë në kudër të asaj së Kryeministrit, u themelua të premten me vendim të Qeverisë dhe Bislimi që do të ketë nën kompetencë mbikëqyrjen e projekteve dhe kontratave kapitale, do t’i raportojë direkt kryeministrit Albin Kurti.

Njëri nga njerëzit më të besueshëm të Albin Kurtit megjithatë nuk do të mbesë pa pozitë.

Siç ka mësuar televizioni Dukagjini, Besnik Bislimi pritet të udhëheqë një zyrë të re që sapo është themeluar të premten nga Qeveria e Kosovës.

Zyra për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategjike sipas vendimit 12/02 do të ketë goxha kompetencë në raport me Ministritë e qeverisë “Kurti 3”.

Vendimi, që e ka ndryshuar atë të vitit 2022 kur ishte krijuar një Njësi për ekspertizë, tani e ka kthyer në Zyrë duke ia dhënë edhe këto përgjegjësi:

– Angazhimi i ekspertizës për nevoja të dikastereve të Qeverisë,

– Sigurimi i zbatimit të Planit të Punë të Qeverisë përmes ekspertizës,

– Mbikëqyrja e zbatimit të projekteve kapitale dhe programeve të parapara me Planin e

Punës të Qeverisë,

– Sigurimi i zbatimit të kontratave të nënshkruara, në veçanti të atyre të projekteve

kapitale,

– Rekomandime Kryeministrit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi marrjen e

masave për të siguruar zbatimin e projekteve e të programeve të parapara me Planin e

Punës së Qeverisë

Pos kësaj, Bislimit mund edhe t’i delegohen punë shtesë nga kryeministri e Qeveria.

Por, Besnik Bislimi, që do të jetë “shef” i ministrave, në kuptimin e mbikëqyrjes së zbatimit të projekteve dhe kontratave kapitale, nuk do t’i raportojë kabinetit qeveritar por vetëm kryeministrit Albin Kurti.

Ndër të tjera, Zyra do të ketë buxhet të ndarë dhe staf mbështetës – asistentë e shofer.

Vetë Bislimi, që kishte qenë zëvendës i parë i Kurtit, e përgjegjës për dialogun, kishte lënë të kuptohet javë më parë se do të vazhdojë punën në ekzekutiv.

“Këtë mandat e kemi bërë më të mirën. Mandati i ri qeveritar, i cili vjen edhe me më shumë përgjegjësi dhe besim nga qytetarët, do të jetë edhe më i suksesshëm, me të arritura të reja, progres demokratik dhe zhvillim ekonomik”, deklaroi Bislimi.

Po sot u njoftua që çështja e dialogut do të kalojë në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, që udhëhiqet nga Glauk Konjufca.