Gërvalla: Audio-incizimi nga takimi i Kryeprokurorit pasqyron gjendjen shqetësuese në sistemin prokurorial
Foto: Laura Hasani

Gërvalla: Audio-incizimi nga takimi i Kryeprokurorit pasqyron gjendjen shqetësuese në sistemin prokurorial

Aktuale February 24, 2026 - 22:38

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas publikimit në media të një audio-incizimi nga takimi i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit me kryeprokurorët e prokurorive, i mbajtur më 20 janar 2026, duke e cilësuar atë si shqetësues dhe si pasqyrë të gjendjes në të cilën, sipas saj, ende ndodhet sistemi prokurorial.

Sipas Gërvallës, reforma në sistemin prokurorial dhe në drejtësi në përgjithësi ka qenë dhe mbetet ndër prioritetet kryesore të Republika e Kosovës. Ajo ka rikujtuar se më 5 qershor 2025 kanë hyrë në fuqi ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke shënuar fillimin e zbatimit të reformës në këtë sistem.

Ministrja ka theksuar se reformimi i sistemit prokurorial ka nisur për të eliminuar, siç ka thënë ajo, korporatizmin dhe grupacionet e ndryshme brenda sistemit, si dhe për të forcuar drejtësinë, profesionalizmin, llogaridhënien dhe transparencën.

Audio-incizimi: Debat i ashpër mes prokurorëve për reformën e KPK-së dhe vlerësimet e BE-së

Ajo ka kritikuar gjuhën dhe diskutimet që i ka cilësuar si denigruese nga krerë dhe ish-krerë të sistemit prokurorial, duke shtuar se kundërshtimi dhe rezistenca e vazhdueshme ndaj reformave, si dhe mungesa e vullnetit për zbatimin e tyre, paraqesin rrezik serioz për integritetin dhe funksionimin profesional të sistemit.

“Dënojmë ashpër gjuhën e tillë denigruese, e cila është në kundërshtim me etikën dhe standardet profesionale të prokurorit, por gjithashtu kërkojmë zbatimin e reformave dhe ndryshimeve ligjore tashmë në fuqi, për t’i dhënë sistemit prokurorial profesionalizmin, llogaridhënien dhe efikasitetin e munguar”, ka deklaruar ajo.

Në fund, Gërvalla ka theksuar se reformat në drejtësi janë dëshmi e vendosmërisë për ndërtimin e një shteti ku, sipas saj, ligji nuk negocion, përgjegjësia nuk shmanget dhe drejtësia nuk njeh emër, pozitë apo ndikim.