Vuçiqi i ankohet Sorensenit për aleancën Kosovë – Kroaci - Shqipëri: Do t’i rrisë tensionet

Vuçiqi i ankohet Sorensenit për aleancën Kosovë – Kroaci - Shqipëri: Do t’i rrisë tensionet

Aktuale February 25, 2026 - 11:45

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, sot ka pritur në Beograd emisarin e BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Peter Sorensen.

Në një postim në profilin e tij në Instagram, Vuçiqi ka thënë se kanë pasur bisedë për procesin e dialogut dhe lidhur me një përfshirje më aktive të Bashkimit Evropian.

Një prej temave që Vuçiqi ka përmendur në këtë takim ka qenë edhe aleanca ushtarake me Kosovës me Shqipërinë dhe Kroacinë. Sipas tij, një aleancë e tillë “do të rrisë tensionet dhe do të kërcënojë sigurinë e popullit serb”.

Përveç të tjerash, Vuçiqi ka përmendur edhe ligjet e reja që Kosova do të implementojë, atë për të huajt që do të nisë të implementohet nga data 15 mars.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe ka qenë gjithashtu temë diskutimi dhe sipas presidentit serb, duhet të bëhen hapa konkretë për ta themeluar.

Në fund, Vuçiqi ka thënë se është në interes të të gjitha palëve që të shmangnin veprimet që mund të përshkallëzojnë situatën.