Spiropali: Lufta e Kosovës nuk ishte luftë për pushtet, ishte për mbijetesë
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë duhet të zhvillohet pa standarde të dyfishta dhe pa krijuar perceptimin se viktima dhe agresori vendosen në të njëjtin plan ligjor, moral e historik.
Duke folur për mediat, ajo theksoi se Shqipëria respekton drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e saj, por nënvizoi se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e shkëputur nga çdo qasje kolektive.
“Proceset në Dhomat e Specializuara janë një moment i rëndësishëm. Shqipëria respekton drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e saj, por drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e shkëputur nga çdo lexim kolektiv. Drejtësia nuk mund të ecë me standarde të dyfishta. Nuk mund të prodhojë perceptimin se viktima dhe agresori vendosen në të njëjtin plan ligjor, moral dhe historik”, u shpreh Spiropali.
Ajo rikujtoi se lufta e Kosovës, sipas saj, nuk ishte për pushtet, por për mbijetesë dhe liri, pas një periudhe të gjatë represioni dhe terrori sistematik ndaj popullsisë civile. Në këtë kontekst, Spiropali përmendi edhe ndërhyrjen e NATO-s dhe të Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të parandaluar, siç tha, një katastrofë humanitare me përmasa të mëdha.
Ministrja shqiptare përmendi me emër ish-udhëheqësit e UÇK-së që po përballen me drejtësinë në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
“Emrat e tyre janë të njohur për çdo qytetar të Kosovës. Ata përfaqësojnë një kapitull të caktuar të historisë sonë të rezistencës. Ne nuk ndërhyjmë në proces dhe nuk paragjykojmë asnjë vendim gjyqësor, por kemi detyrim moral dhe historik të themi qartë se drejtësia duhet të jetë e plotë, pa shkelje të standardeve ndërkombëtare ligjore dhe të të drejtave të njeriut, dhe jo drejtësi e pjesshme”, deklaroi ajo.
Sipas Spiropalit, procesi nuk mund të shkëputet nga konteksti i luftës çlirimtare dhe nga fakti se në Kosovë, siç u shpreh, ka pasur agresion shtetëror, spastrime etnike dhe krime masive ndaj popullsisë civile.