QKUK-ja del me një qëndrim për tarifën prej tri eurove për përcjellësit e pacientëve
Foto: Laura Hasani

QKUK-ja del me një qëndrim për tarifën prej tri eurove për përcjellësit e pacientëve

Aktuale February 25, 2026 - 17:54

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) thotë se përcjellësit e pacientëve në Klinikën e Pediatrisë dhe Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve janë të liruar nga tarifa tri euroshe për një natë qëndrimi.

“Nga kjo tarifë përjashtohen gjithashtu përcjellësit e pacientëve të Klinikës së Onkologjisë dhe të gjitha klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht nëse pacientët janë të shtruar në klinika të tjera brenda QKUK-së”, ka thënë QKUK në njoftim.

“Po ashtu, nga pagesa përjashtohen të gjithë përcjellësit e pacientëve nën moshën 18 vjeç, si dhe pacientët me sëmundje kronike”, vijon njoftimi.

Sipas QKUK’së, në Klinikën e Pediatrisë dhe në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, përcjellësit nuk kanë paguar asnjëherë tarifën prej tri euro për natë.