Haradinaj takohet me Spiropalin, theksohet bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri dhe integrimi në NATO

Haradinaj takohet me Spiropalin, theksohet bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri dhe integrimi në NATO

Aktuale February 25, 2026 - 19:26

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim Ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali.

Gjatë takimit, Haradinaj vlerësoi angazhimin e Qeverisë shqiptare në çështjet me rëndësi për Kosovën, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy vendeve në proceset kyçe shtetërore dhe rajonale.

Sipas tij, në fokus të diskutimit ishin zhvillimet që po kalojnë Kosova, Shqipëria dhe rajoni, si dhe proceset që i presin përpara, veçanërisht ato që lidhen me sigurinë dhe integrimin euroatlantik. Haradinaj ritheksoi se anëtarësimi në NATO mbetet synim strategjik dhe i panegociueshëm për Kosovën.

Ai theksoi se forcimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është prioritet i përhershëm, ndërsa integrimi ndër shqiptar e cilësoi si domosdoshmëri kombëtare dhe garanci për një të ardhme të sigurt, transmeton Klankosova.tv.

Haradinaj shprehu gjithashtu falënderimin për kujdesin dhe përkushtimin e Qeverisë shqiptare, të udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama, ndaj çlirimtarëve që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.