Konjufca: Një kandidat i njëanshëm nuk do ta kishte mbështetjen e opozitës
Foto: Laura Hasani

Konjufca: Një kandidat i njëanshëm nuk do ta kishte mbështetjen e opozitës

Aktuale February 25, 2026 - 20:48

Çështja e afatit të zgjedhjes së presidentit po afrohet dhe aktualiteti i kësaj teme u theksua edhe nga numri dy i Qeverisë së Kosovës, Glauk Konjufca. Ai ripërsëriti atë se çfarë ka thënë kryeministri Albin Kurti, por theksoi se është e mirëseardhur nga shoqëria nëse do të kishte propozim që këtë pozitë ta kishte dikush nga familja Jashari.

Numri dy i qeverisë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Republikës, derisa afati po vazhdon të rrjedhë dhe janë ditët e fundit kur Kuvendi duhet ta zgjedhë kreun e shtetit.

Kryediplomati kosovar tha se konkludimi i tyre është që përmes një emri të përveçëm mos ta mbështesin për muri opozitën.

Ai tha se mazhoranca ka 66 numra në Kuvend, e sipas tij, me një emër të propozuar njëanshëm nuk mund të sigurojnë votën e opozitës për t?i bërë 80 numrat e domosdoshëm për zgjedhjen e kreut të shtetit.

“Ajo mazhorancë që është prej 66 numrash në Kuvend, ne jemi bindur që nuk ka mundësi përmes një emri që propozohet, një emër i njëanshëm, ta marrim edhe votën e garantuar të opozitës për t’i bërë 80 vota. Ky është konstatimi i mazhorancës. Nuk po them se është absolut, sepse gjëra absolute në politikë nuk ka, ka të përafërta, por me përafërsi ky është konkludimi i mazhorancës. Ndoshta e kemi gabim, ndoshta e kemi mirë, por ky është konkludimi”, tha Konjufca,

Konjufca u përgjigj edhe në pyetjen nëse ai është opsion për president.

“Po ta kishte qasjen mazhoranca që ta propozojë një president të LVV-së, unë mendoj që është pikërisht ajo që po duam ta shmangim, sepse kjo është për ta vendosur opozitën para aktit të kryer, me thënë ky është dhe duhet ta votoni. Ju duhet ta kuptoni që ky nuk është qëllimi kësaj radhe i mazhorancës, për atë kemi vepruar në këtë mënyrë”, tha ai,

Por që Konjufca tha se konsensus automatik në shoqëri është një president nga radhët e familjes së nderuar Jashari.

“Konsensus i partive politike deri tash të vetmit emra që kanë shkaktuar automatikisht një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë është një president nga radhët e familjes së nderuar Jashari?

Këto komente kryediplomati kosovar i bëri gjatë takimit që pati me homologen nga Shqipëria, Elisa Spiropali, kur kanë mbetur më pak se 7 ditë deri në afatin kur Kuvendi duhet ta zgjedhë presidentin e ri të Republikës.