Remzi Ejupi merr pjesë në Takimin e Ambasadorëve dhe Konsujve të Nderit në Maltë

Remzi Ejupi merr pjesë në Takimin e Ambasadorëve dhe Konsujve të Nderit në Maltë

Aktuale February 26, 2026 - 13:33

Remzi Ejupi ka marrë pjesë në Takimin e Ambasadorëve dhe Konsujve të Nderit 2026, të organizuar në Maltë, ku ka përfaqësuar Kosovën në cilësinë e Konsullit të Nderit të Maltës.

Sipas tij, ky takim ka shërbyer si një platformë e rëndësishme për bashkëpunim dhe shkëmbim idesh me rrjetin diplomatik maltez, në një kohë kur zhvillimet globale kërkojnë qasje të reja dhe partneritete më të fuqishme ndërkombëtare.

“Ishte një mundësi e vlefshme për t’u takuar me rrjetin diplomatik të Maltës, për të shkëmbyer ide dhe për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në një botë që po ndryshon me shpejtësi. Krenar që vazhdoj të ndërtoj ura të forta bashkëpunimi mes Maltës dhe Kosovës dhe më gjerë”, ka shkruar Ejupi.

Gjatë qëndrimit në Maltë, Ejupi ka zhvilluar një sërë takimesh zyrtare me përfaqësuesit më të lartë të shtetit. Ai është pritur nga Presidentja e Maltës, Myriam Spiteri Debono, si dhe ka takuar Kryeministrin Robert Abela dhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Turizmit, Ian Borg.

Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe bashkëpunimi në fushën e turizmit. Ejupi ka zhvilluar takim me Drejtorin Kryesor të Malta Tourism Authority, Carlo Micallef, me të cilin është biseduar për mundësitë e promovimit dhe thellimit të bashkëpunimit në këtë sektor.

Takimet, sipas Ejupit, përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Maltës dhe Kosovës, duke hapur rrugë për partneritete të reja në fusha me interes të përbashkët.

“Po ashtu, pata kënaqësinë të takoj Drejtorin Kryesor të Malta Tourism Authority, Carlo Micallef, me të cilin diskutuam mundësitë për bashkëpunim dhe promovim të mëtejshëm në fushën e turizmit. Këto takime përbëjnë një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve bilaterale, në thellimin e bashkëpunimit diplomatik dhe në krijimin e mundësive të reja për partneritet ndërmjet Maltës dhe Kosovës, në fusha me interes të përbashkët për të dy vendet tona”, ka shkruar Ejupi. /Zëri