Propaganda serbe përmes medieve [video]

Propaganda serbe përmes medieve [video]

Aktuale February 26, 2026 - 22:15

Ndërkohë që Kosova prin në raportet për siguri, Serbia vazhdon të financojë projekte të shumta, duke shpërndarë propagandë dhe dezinformata në raport me realitetin. Financimi i medieave, shpesh edhe me shuma të mëdhaja parash të gatshme, mbetet sfidë për organet gjegjëse.

Raportohet se janë 117 projekte që Serbia i ka financuar, duke ia dhënë paratë vetëm një pronari që ka në pronësi disa media.

Propagandën kundër shtetit të Kosovës, Serbia vazhdon ta shtrijë edhe përmes financimit të medieve, një pjesë e të cilave operojnë në vend, me pronësi dhe licencim. Raportohet se janë 117 projekte që Serbia i ka financuar, duke ia dhënë paratë vetëm një pronari që ka në pronësi disa media.

 “Sllavko Stijakoviq ka hapur një media në Graçanicë. Ai është ish-oficer i Armatës Jugosllave, aktiv edhe gjatë regjimit të Slobodan Millosheviq, në detyrë deri në vitet 2002-2003. Tani vepron në fushën e mediave dhe ka deri në 30 media në pronësi. Vetëm në vitin 2025 ka përfituar 117 projekte nga shteti serb, me vlerë rreth 450 mijë euro”, tha Gurakuç Kuçi, profesor.

Dezinformimi dhe propaganda serbe në Kosovë, sipas monitoruesve të medieve, ngërthen në vete aktorë të brendshëm dhe të jashtëm, dhe vështirë të identifikohet financimi që në të shumtën e rasteve bëhet me para të gatshme.

Fitim Gashi, drejtor në Sbunker theksoi se financimi dyshohet se vjen nga disa burime, por identifikimi i tij është i vështirë.

“Shteti duhet të jetë më i angazhuar, pasi ka mekanizma për të detektuar transaksione të tilla financiare, qoftë për media serbe, qoftë për media në Kosovë, përfshirë edhe ato që ofrojnë përmbajtje në gjuhën shqipe. Në përgjithësi, ekziston mungesë transparence financiare në sektorin mediatik”.

Nga të dhënat e Komisionit të Pavarur të Medieve, rezulton se në gjuhën serbe janë të licencuara: 5 televizione me transmetim tokësor; 5 televizione me transmetim përmes operatorëve të shpërndarjes; 15 radio me transmetim tokësor; 5 operatorë të shpërndarjes (OSH).

Financimi i jashtëligjshëm i medieve nga Serbia mbetet sfidë për Kosovën, me synim dëmtimin e saj përmes propagandës në fusha të ndryshme: krijimin e një imazhi negativ në sferën diplomatike dhe manipulimin e popullatës serbe përmes dezinformimit. Sipas raporteve të organizatave monitoruese, një pjesë e këtij aktiviteti zhvillohet hapur edhe në platformën Telegram. /rtk