Kurti takohet me Kryetaren e ASHAK-ut, Justina Shiroka-Pula
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, ka pritur sot Kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademike Justina Shiroka Pula, së bashku me nënkryetarin akademik Fejzullah Krasniqi dhe Sekretarin Shkencor akademik Bardh Rugova.
Në njoftim nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se gjatë takimit, kryetarja Shiroka Pula e uroi kryeministrin për mandatin e ri qeverisës dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aktiviteteve të Akademisë.” Ajo prezantoi punën, planet dhe prioritetet e AShAK-ut dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me institucionet shtetërore për nevojat dhe interesat e vendit, duke ofruar ekspertizën e Akademisë”.
Kurti e uroi kryetaren për detyrën e re dhe nënvizoi rëndësinë e arsimit dhe drejtësisë si prioritet i qeverisë, si dhe rolin që bashkëpunimi me AShAK-un mund të ketë në zhvillimin e vendit.
Palët diskutuan për progresin, sfidat dhe zhvillimet në vend, duke u dakorduar për mbajtjen e një komunikimi të rregullt për thellimin e bashkëpunimit. /Zëri