Kryqi i Kuq i Kosovës mbështet 44 familje në Drenas pas vërshimeve
Dega e Kryqi i Kuq i Kosovës në Drenas, në bashkëpunim me Zyrën Qendrore, ka realizuar një aksion humanitar në ndihmë të familjeve të prekura nga vërshimet e fundit në këtë komunë.
Në kuadër të reagimit emergjent, janë mbështetur gjithsej 44 familje me ujë të pijshëm, pako higjienike dhe kuponë për pako ushqimore. Po ashtu, 10 familje kanë përfituar kuponë për materiale ndërtimore, me qëllim të lehtësimit të dëmeve të shkaktuara në banesat e tyre.
Nga kjo organizatë humanitare kanë bërë të ditur se qëllimi i aktivitetit ishte ofrimi i ndihmës së menjëhershme dhe sigurimi i mbështetjes së vazhdueshme për familjet e prekura nga përmbytjet.
Falënderim i veçantë i është adresuar Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Komunën e Drenasit për bashkëpunimin dhe koordinimin institucional gjatë realizimit të këtij aksioni.
Kryqi i Kuq i Kosovës thekson se do të vazhdojë të qëndrojë pranë familjeve në nevojë, duke promovuar solidaritetin, humanizmin dhe reagimin e shpejtë në situata emergjente. /Zëri