Shukri Buja propozon Jakup Krasniqin për president të Kosovës
Foto: Laura Hasani

Shukri Buja propozon Jakup Krasniqin për president të Kosovës

Aktuale February 27, 2026 - 19:39

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shukri Buja, ka propozuar ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqin, për president të Kosovës.

Përmes një njoftimi në Facebook, Buja tha se me zemër do ta propozonte Hashim Thaçin,megjithatë, siç tha ai, kjo mund të jetë e vështirë politikisht e kalueshme.

“Kosova po gjendet në një rreth vicioz të konstituimit të organeve shtetërore, një bllokadë pa dalje. As zgjedhjet e reja nuk ofrojnë zgjidhje reale. Vendi ynë ka nevojë për një hap të guximshëm, të mençur dhe të qëndrueshëm. Prandaj po paraqes një propozim që e konsideroj zgjidhjen më të drejtë, më të qëlluar politikisht dhe më të qëndrueshme për kohën dhe rrethanat në të cilat ndodhemi”.

“Kjo është një zgjidhje sfiduese, me një porosi të qartë për luftën çlirimtare dhe një mesazh të fuqishëm për drejtësinë. Janë vetë përfaqësuesit e popullit ata që, me votën e tyre, e miratuan rezolutën dhe e obliguan vetveten për procesin e Dhomave të Specializuara. Sot, po me votën e tyre, ata mund të japin verdiktin politik dhe moral të popullit për pafajësinë e bashkëluftëtarëve tanë. Propozimi im është i qartë: Z. Jakup Krasniqi”, ka shkruar ai.

Për Krasniqin, Buja tha se është një personalitet atdhetar, i sakrificës, i përkushtimit, profesionist dhe mbi të gjitha një figurë konsensuale, duke shtuar se është një njeri që sot ndodhet në burg, por nuk është i dënuar.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton qartë prezumimin e pafajësisë, dhe rregullon edhe mënyrën e ushtrimit të funksionit të Presidentit në rast pamundësie të përkohshme”, shkroi ai tutje.

Pos tjerash, politikani deklaroi se PDK dhe AAK nuk kanë asnjë arsye ta kundërshtojnë, ndërsa për LDK-në tha se mund ta kundërshtojë po aq sa mund ta përkrahë.

“Lista Guxo dhe në veçanti znj. Osmani do të dëshmonin se pjesëmarrja e tyre në protesta ishte bindje e sinqertë për pafajësinë e çlirimtarëve. Zgjedhja e z. Jakup Krasniqi si President nga deputetët e Kuvendit do të ishte verdikt i qartë politik i popullit të Kosovës. Do të ishte një mesazh i fuqishëm për drejtësinë ndërkombëtare, që tregon qartë se cili është qëndrimi i këtij populli për udhëheqësit e luftës së tij çlirimtare. Ky është moment historik për përgjegjësi!”.