Ende pa emër për kreun e shtetit
Foto: Laura Hasani

Ende pa emër për kreun e shtetit

Aktuale February 27, 2026 - 20:50

Kanë mbetur edhe pak ditë nga afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, por edhe më tej mungojnë emrat dhe marrëveshjet konkrete. Është thënë e rithënë, se nevojitet një emër konsensual, por tash për tash nuk ka emërtim të përveçëm.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e cila kohë më parë e bëri të qartë se synon edhe një mandat ne krye të shtetit, nuk i ka komentuar as takimet e fundit mes liderëve partiakë dhe as ka deklaruar nëse i ka mbledhur 30 nënshkrime për t`i hyrë garës që më së voni duhet të nisë si proces më 4 mars.

Kur jemi në javën e fundit, kur do të duhej të zgjidhej presidenti i vendit, nuk ka ndonjë emër konkret apo marrëveshje nga e cila mund të dalë kandidati për kreun e shtetit.

“Lista Guxo” themeluese e së cilës është presidentja aktuale, Vjosa Osmani, nuk ka nisur ende mbledhjen e nënshkrimeve për ta proceduar me kandidaturën e Vjosa Osmanit edhe për një mandat.

Deputeti Haxhi Avdyli i ka hedhur poshtë deklarimet se brenda Listës “Guxo”, ka deputetë që nuk e përkrahin Osmanin për t`u rizgjedhur presidente.

Madje, Avdyli ka thënë se përveç deputetëve të koalicionit që drejton qeverinë e vendit, ka edhe deputetë nga radhët e opozitës, të cilët janë takuar dhe kanë shprehur gatishmëri të votojnë për Osmanin presidente.

“Është e duhura për të vazhduar një mandat. Për këtë mund të them që ka edhe pajtueshmëri jo vetëm të grupit tonë parlamentar të shumicës e deputetëve të cilët jemi në kontakte, dhe shumica e të tjerëve janë pro këtij emri, por ka pajtueshmëri edhe nga deputetët e opozitës të cilët në mënyrë publike nuk mund të thonë, por shumë për tyre në kontaktet private që kemi miqësore ata e pranojnë që e duhura për një mandat tjetër është Vjosa Osmani. Prandaj unë mendoj që duke pa këtë frymë ne nuk duhet të bëjmë eksperimente”, tha për RTK, Haxhi Avdyli- deputet i Listës “Guxo”

Haxhiu tha se ka ardhur koha të qartësohen mendimet dhe se këtyre ditëve, po vazhdojnë takimet e brendshme me deputetë nga Lista Guxo, dhe se janë kundër shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Nga Grupi  Parlamentar Multietnik i thanë RTK-së se ende nuk janë kontaktuar nga askush qoftë edhe nga Osmani për të kërkuar mbështetjen e tyre.

Megjithatë, thotë deputeti Fridon Lala, ata kanë pajtueshmëri të votojnë emrin e kandidatit për deputet ditën kur të vijë në Kuvend.

Pas takimeve që zhvilloi kryeministri Albin Kurti me dy krerët e partive opozitare, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, nuk është parë asnjë lëvizje, të paktën publikisht, mbi hapat që po bëhen për të nisur procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Së fundmi, në PDK kanë deklaruar se mund të nxjerrin një emër për president, ndërsa në LDK vazhdojnë të insistojnë se kjo çështje i takon partisë me numrin më të madh të deputetëve.