Osmani kujton viktimat e Likoshanit dhe Qirezit: Amanet për drejtësi dhe liri

Osmani kujton viktimat e Likoshanit dhe Qirezit: Amanet për drejtësi dhe liri

Aktuale February 28, 2026 - 16:26

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 28 shkurtin 1998, duke theksuar se regjimi gjenocidal i Serbisë kreu një nga aktet më të rënda të terrorit shtetëror në Kosovë, duke vrarë 24 banorë të Likoshanit dhe Qirezit, prej të cilëve 20 civilë dhe katër dëshmorë të UÇK-së.

Osmani ka theksuar se kjo ishte një përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e lirisë që po rritej në Drenicë dhe në mbarë Kosovën.

Sipas saj, gjaku i të rënëve të Likoshanit dhe Qirezit u bë thirrje për qëndresë, dinjitet dhe liri, duke u bërë pjesë e themelit mbi të cilin u ngrit rrugëtimi drejt çlirimit dhe shtetndërtimit.

Presidentja ka theksuar se kujtimi i martirëve dhe dëshmorëve të Likoshanit dhe Qirezit është amanet për drejtësi dhe për ruajtjen e lirisë.

“Lavdi e përjetshme të rënëve të Likoshanit dhe Qirezit”, ka përfunduar Osmani. /Zëri