Dëshmitari nga stafi i ZPS-së: S’kam njohuri për çështjen në fjalë, por kam qasje në të gjitha dokumentet - edhe në rastin për krime lufte
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.
Të hënën, më 2 mars 2026, po vazhdon dëshminë dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili dëshminë nën masa mbrojtëse e filloi më 27 shkurt, pikërisht në ditën kur filloi gjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pasi Prokuroria ka përfunduar me marrjen në pyetje të këtij dëshmitari, me kundërpyetje po vazhdon mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon.
Ky dëshmitar është staf i Prokurorisë dhe u pyet nga avokatja se sa ka njohuri për këtë çështje gjyqësore.
Ai mohoi se ka lexuar dosjen e Prokurorisë dhe atë të mbrojtjes në këtë çështje gjyqësore. Mirëpo, tha se ka qasje në të gjitha dokumentet e kësaj çështjeje e po ashtu edhe ato të çështjes së Thaçit për krime lufte.
Pas kësaj, u kalua në seancë private për publikun me kërkesën e avokates Menegon.
Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.
Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse.
Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DHSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DHSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami), si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e grupit Fazliu, grupit Smakaj dhe grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.