Më 5 mars, seanca solemne me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë tha se në mbledhje u dakorduan që ta mbajmë seancën solemne me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Së pari u dakorduam që ta mbajmë seancën solemne me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra kjo seancë do të mbahet më datën 5, në orën 10:00 dhe përveç krerëve të shtetit, do të flasin edhe përfaqësues nga grupet parlamentare. Diskutuam edhe për propozimin e sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndonëse anëtarët e Kryesisë kërkuan më shumë informacione që të plotësojnë dosjen e deritanishme, prandaj këtë çështje do ta trajtojmë në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Kuvendit”, tha Haxhiu.
Ajo tha se diskutuan edhe për Projektligjin për parandalimin e dhunës në familje.
“Trajtuam edhe disa kërkesa që ndërlidhen për Projektligjin për parandalimin e dhunës në familje, që është një nismë qytetare. U dakorduam që t’i takojmë nismëtarët që të flasim për këtë çështje dhe për qëllimin e kësaj nisme. Gjithashtu edhe disa kërkesa të natyrës administrative i trajtuam si Kryesi e Kuvendit”, tha ajo. /eo