Konflikti Izrael - SHBA kundër Iranit, ç’do të thotë për Kosovën dhe Ballkanin?

Konflikti Izrael - SHBA kundër Iranit, ç’do të thotë për Kosovën dhe Ballkanin?

Aktuale March 03, 2026 - 14:01

Drejtori i institutit për studime të luftës hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka komentuar konfliktin aktual mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Izraelit kundër Iranit, si dhe pasojat e tij për sigurinë në Ballkan dhe Kosovë.

Fetoshi ka theksuar rëndësinë strategjike të Lindjes së Mesme si qendër energjetike dhe nyje tregtare.

Ai tha se operacioni izraelito-amerikan është ndërveprim strategjik për neutralizimin e rrezikut të programit bërthamor, si parakusht për paqen e qëndrueshme.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e Lindjes së Mesme si potencial energjetik dhe ‘udhëkryq’ i tregtisë botërore, përshkallëzimi rajonal dhe kohëzgjatja e këtij konflikti do të ishte me pasoja serioze për njerëzit, sigurinë dhe ekonominë globale. Goditja ushtarake ndaj regjimit iranian dhe kërcënimit që paraqet ai me programin bërthamor, ishte veprim i domosdoshëm për disa arsye: e para, sepse armatosja bërthamore e Iranit do ta rrezikonte drejtpërdrejt Izraelin dhe interesat amerikane në rajon; e dyta, sepse vazhdimi i ‘negociatave’ ishte blerje kohe dhe do ta rrezikonte “ekuilibrin e forcave”, dhe e treta, sepse një fuqizim i tillë i Iranit do të ishte “karburanti” më sfidues për boshtin revizionist ruso-kinez. Prandaj, operacioni izraelito-amerikan është ndërveprim strategjik për neutralizimin e këtij rreziku, si parakusht për paqen e qëndrueshme”, ka thënë Fetoshi në një prononcim për Telegrafin .

Por i pyetur se çfarë implikimesh mund të ketë konflikti Iran–SHBA–Izrael për sigurinë në Ballkan dhe, konkretisht për situatën në Kosovë, ai tha: “Siguria në Ballkan vazhdon të jetë e kërcënuar nga ambiciet ekspansioniste të Serbisë dhe rreshtimi i saj gjeopolitik me Rusinë, Kinën dhe Iranin. Bazuar në reagimet e Aleksandër Vuçiqit, i cili e krahasoi operacionin me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe përvojën e agresionit të vazhdueshëm përmes propagandës e sulmeve terroriste, konflikti në Lindje të Mesme mund ta ‘trimërojë’ Serbinë si me rastin e Ukrainës”.

Prandaj, siç u shpreh Fetoshi ruajtja e vëmendjes ndërkombëtare me KFOR-in dhe angazhimin politik në Ballkanin Perëndimor është me rëndësi përcaktuese.

“Nga ana tjetër, për shkak të rëndësisë ekonomike të Lindjes së Mesme, konflikti me Iranin mund të shkaktojë valë të re inflacioni dhe ngritje të çmimeve, por kjo mendoj se do të varet nga dinamika e zhvillimeve dhe kohëzgjatja e konfliktit”, ka thënë Fetoshi.

Fetoshi përjashton rrezikun ushtarak të drejtpërdrejtë për Kosovën për shkak të mbrojtjes nga NATO, por jo edhe tensionet, provokimet apo fushatat dezinformuese me qëllim të destabilizimit.

“Mjafton të shohim propagandën e intensifikuar ditëve të fundit për “rrezikun” ndaj Serbisë nga aleanca ushtarake ndërmjet Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë dhe “kërcënimin e popullit serb” nga ligji për të huajt apo integrimi i strukturave të arsimit e shëndetësisë në sistemin e Kosovës, që ta parashikojmë qasjen në vazhdim. Prandaj, në raport me implikimet eventuale të konfliktit në Lindje të Mesme, Kosova duhet t’i kushtojë vëmendje maksimale koordinimit me partnerët strategjikë, masave kundër dezinformimit, sulmeve potenciale kibernetike dhe rrjeteve të ndikimit financiar”, tha ndër të tjera Fetoshi.