Zgjedhje apo zgjidhje? Orët vendimtare për president/e
Foto: Laura Hasani

Zgjedhje apo zgjidhje? Orët vendimtare për president/e

Aktuale March 04, 2026 - 08:47

Afati përfundimtar për zgjedhjen e presidentes ose presidentit ka hyrë në orët vendimtare. Pra, 5 marsi është dita e fundit.

Por teksa po afrohet përfundimi i afati kushtetues, i cili e parasheh që zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, as Lëvizja Vetëvendosje e as opozita nuk e kanë një emër, të paktën jo zyrtarisht për të cilin do të mblidhnin 30 nënshkrime.

Lideri i LVV-së, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zgjodhi të mbajë takime me kryetarët e dy partive opozitare, as të PDK-së Bedri Hamzën dhe LDK-së Lumir Abdixhikun, madje me këtë të fundit zhvilloi tri takime. Por që punë nuk kryen as pesë takimet gjithsej.

Megjithëkëtë, mes takimesh doli një emër që konsiderohej të ishte i përshtatshëm, Kurti e kishte përmendur dikë nga familja e komandanti legjendar Adem Jashari. Por që ishte Murat Jashari ai që e bëri të qartë pozicionin e tij por edhe të familjes, se nuk kanë ambicie për këtë post.

Por ndryshe prej tij, është Vjosa Osmani presidentja aktuale e cila synon edhe një mandat pesëvjeçar, por që e njëjta del të mos jetë prezantuar në asnjë bisedë nga Kurti.

Kjo ndoshta, pasi që sipas raportimeve në mediat, LVV thuhet të ketë tashmë një emër, e që është Glauk Konjufca i cili aktualisht me formimin e qeverisë, mori postin e zëvendëskryeministrit të parë por edhe atë të ministrit për Punë të Jashtme dhe Diasporës.

Ditë më parë i gatshëm dhe vetëofrim për president, u doli të jetë edhe akademiku dhe ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.

Sipas Kushtetutës, për ta propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime të deputetëve. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.

Ndërsa për të zgjedhur presidentin ose presidenten duhen 80 vota, të cilat në këtë formacion vështirë të sigurohen.

Kujtojmë që presidentja Osmani u pati zgjedhur më 4 prill të 2021-tës, por paraprakisht ajo ishte pjesë e fushatës intensive të LVV-së.

E nëse nuk zgjidhet presidenti në këtë afat kushtetues, vendi rrezikon të shkohet në zgjedhje. Mirëpo njohës të çështjes thonë se kjo nuk e nënkupton automatikisht.

Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se vendi nuk mund të shkojë automatikisht në zgjedhje, edhe pasi përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit apo presidentes.

“Me Kushtetutë nuk thuhet saktësisht që shkojmë në zgjedhje. Pra sikurse tek moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës, ashtu edhe te mozgjedhja e presidentit në afatin prej 30 ditëve nuk thuhet se shkojmë automatikisht në zgjedhje. Duhet me u shpërnda Kuvendi në rastin kur brenda 60 ditëve nga dita kur nis procedura për zgjedhjen e presidentit, shpërndahet Kuvendi dhe tek më pastaj shkojmë në zgjedhje të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve nga dita e shpalljes së tyre. Por vendi nuk shkon në zgjedhje automatikisht. Ndoshta mund të shkojë në zgjedhje në rast të ndonjë vlerësimi të Gjykatës Kushtetuese për rastin kur këtë çështje do ta dërgojë presidentja, e veçanërisht deputetët e partive politike parlamentare, në mënyrë që të mos kemi një situatë ku pas datës 4-5 mars ne zgjedhim një president jokonstitucional. Domethënë këtë duhet me e parë në këtë prizëm, që partitë politike të dërgojnë këtë rast në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të vlerësohet se a zgjedhim një president jokonstitucional pas kësaj date apo që Gjykata Kushtetuese të marrë një masë përkatëse, në mënyrë që ta pezullojë rrjedhën e këtij afati”, shpjegoi ai. /eo