“Kur mundet Izraeli, pse nuk mundet Serbia të sulmojë” - deklaratat kërcënuese të Vulinit nxisin reagime

“Kur mundet Izraeli, pse nuk mundet Serbia të sulmojë” - deklaratat kërcënuese të Vulinit nxisin reagime

Aktuale March 05, 2026 - 07:56

Një thirrje që Serbia të veprojë kundër Kosovës, nga ish-shefi i shërbimit sekret serb, Aleksandër Vulin, duke ngritur një paralele me veprimet e agjencisë izraelite të inteligjencës në Iran, duke nënvizuar “kur mundet Izraeli, pse nuk mundet Serbia”, shihet si kërcënim dhe destabilizim i drejtpërdrejtë i rajonit në përgjithësi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklarimet e Vulinit i ka quajtur si kërcënim kundër shtetit të Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti.

Ministri Sveçla vë në pah se të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur, kërcënime të armatosura dhe operacione të shpallura kundër aktorëve të konsideruar armiq, dhe t’i aplikosh ato në raport me kryeministrin Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan.

Njohës të çështjeve të sigurisë, nënvizojnë se kur bëhet fjalë për Serbinë, duhet qenë vigjilentë duke marrë për bazë tendencat e Serbisë ndaj Kosovës.

Ndërkohë që Vulini ka kohë që përdoret nga Rusia si person që tenton destabilizimin e vendeve të Ballkanit.

 " Duhet kuptuar hipokrizinë e një krimineli sikurse është Vulin se as Serbia nuk është Izrael, po as BIA nuk është Mossad, ai është një ideator i kalbur i idesë për botën serbe dihet që për shkak të presionit amerikan ai është shkarkuar prej disa pozitave...", ka thënë Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.

"Është figurë dhe trampolinë e Rusisë dhe Rusisë në Ballkan, nuk e shoh shqetësuese kërcënime e tij duke u mbështetur gjithmonë faktin se organet e sigurisë tonat sigurisë kombëtare nuk rrinë duar kryq por i përcjelli deklaratat e Vulinit..”, ka thënë Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë

"Duhet të kenë shumë parasysh përveç se mund të bëjnë veprime nëpërmjet luftës hibride ata mund të bëjnë veprime të paparashikueshme dhe mund të ndikojnë edhe tek njerëzit që janë edhe jashtë Kosovës jo vetëm brenda Kosovës...", ka thënë Gurakuq Kuçi, nga Instituti “OCTOPUS”.

Serbia në vazhdimësi ka përdorur retorikë kërcënuese dhe qasje provokuese duke mos e njohur realitetin e Kosovës. Ndërkohë që Vulini, i cili po del në skena mediale kohë pas kohe, ka shërbyer për disa vitesh si ministër i Mbrojtjes i Serbisë, duke vazhduar më tej si koka e shërbimit sekret serb.

Vitin e kaluar ai ishte pjesë e një shoqate të udhëhequr nga kreu i inteligjencës së Rusisë, i njohur si njeri në marrëdhënie të ngushta me Rusinë. Vulini është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara. /rtk